Paulin (Gjergji) Marku është një nga viktimat e atentatit të dy netëve më parë në Kurbin, ku humbi jetën edhe biznesmeni tjetër Bujar Lika (Hasani) si edhe u plagos 21 vjeçari, Kreshnik Tusha, që aktualisht ndodhet në spital. Nuk dihet ende se kush ka qenë objektivi i vërtetë i atentatit ndërsa policia ende nuk ka dhënë ndonjë detaj nga hetimet. Mësohet se Paulin Marku (në foton më poshtë), njihej si pronari i ish-bar “Nikolinos” në Tiranë, që u shkatërrua vite më parë. Ai tashmë zotëronte disa kompani si “Antoni New York”, “Intertronic” apo “Petro Gaz Albania”.
Hetuesit konfirmuan faktin se janë duke hetuar edhe lidhjet e tij të biznesit me Maltën, si dhe disa konflikte për një pronë në një nga zonat e njohura në Tiranë. Viktima tjetër, Bujar Hasani (Lika) është një kontingjent i njohur për policinë, pasi më herët ka qenë i përfshirë në një ngjarje në periferi të Tiranës. Ai kishte në pronësi lokalin “Dea Cafe” në ish-Bllok. E kaluara e tij është një nga pistat ku po heton policia me qëllim zbardhjen e atentatit të mirë-organizuar.
Autorët kanë qenë 4 persona dhe janë prezantuar si efektivë policie. Ndërsa 2 prej tyre kanë hapur zjarr ndaj viktimave, 2 të tjerë kanë hyrë në hotelk ku kanë mbajtur nën vëzhgim djemtë e njërit nga viktimat. Mister mbetet edhe 21-vjeçari i plagosur në spital. Ai këmbëngul se nuk ka pasur të bëjë me ngjarjen dhe se ka qenë rastësisht aty. Në vendin e ngjarjes u gjet një pistoletë dhe hetuesit po verifikojnë nëse ka pasur shkëmbim zjarri apo ajo u përket autorëve