Egnatia e nisi aventurën e saj në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës me një barazim 1-1 ndaj danezëve të Midtjylland, në një sfidë që dhuroi emocione, gola dhe tension deri në minutat e fundit.
Kampionët shqiptarë e nisën takimin me dëshirën për të treguar se mund të rivalizojnë edhe në skenën europiane. Dhe momenti i madh për rrogozhinasit erdhi në minutën e 26-të. Një krosim i saktë nga krahu i djathtë gjeti Grudën në shtyllën e dytë dhe sulmuesi, me një goditje të saktë me kokë, dërgoi topin në rrjetë, duke shpërthyer festën e Egnatias.
Por avantazhi nuk zgjati shumë. Vetëm gjashtë minuta më vonë, në minutën e 32-të, Midtjylland reagoi me të njëjtën armë. Një tjetër harkim nga e djathta gjeti Çon të lirë në zonë dhe sulmuesi danez, me kokë, mposhti portierin Dajsinani, duke rikthyer baraspeshën në 1-1.Pas dy golave të shpejtë, ndeshja vijoi me luftë sportive dhe përpjekje nga të dyja skuadrat për të gjetur golin e fitores. Egnatia kërkoi të shfrytëzonte mundësitë e saj, ndërsa danezët mbetën kërcënues në zonën kuqezi.
Momenti më i tensionuar i pjesës së dytë erdhi në minutën e 81-të. Uhre dërgoi topin në rrjetë pas një goditjeje këndi, pasi i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes dhe Dajsinanit. Por festa e Midtjylland u ndërpre: goli u anulua për faull ndaj portierit të Egnatias.Në fund, rezultati mbeti 1-1. Egnatia e mbyll kështu ndeshjen e saj të parë europiane në këtë fazë me një pikë, pas një përballjeje ku tregoi karakter dhe aftësi për të sfiduar një kundërshtar me përvojë ndërkombëtare.