Mentor Mazrekaj ishte një nga lojtarët më të mirë të skuadrës së Laçit, por 34-vjeçari ka vendosur që të largohet nga kampionati shqiptar. SuperSport mëson se sulmuesi i majtë do të jetë pjesë e Strugës, skuadër e cila fitoi titullin kampion këtë edicion në Maqedoninë e Veriut.
Futbollisti dardan ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e Strugës për të nënshkruar për një vit, teksa pritet që të premten të bëhet zyrtarizimi. Ai do të vihet menjëherë nën urdhrat e trajnerit Shpëtim Duro pasi të firmosë kontratën me klubin shqiptar.
Tekniku kryeqytetas, e njeh mjaft mirë Mazrekajn, pasi e ka patur në skuadër në kohën kur ishte pjesë e Partizanit dhe Laçit. Lidhja mes tyre është e veçantë. Dhe ishte pikërisht Duro që insistoi të transferohej te bardhezinjtë, ndonëse lojtari ofensiv ishte larguar nga futbolli.