Dinamo është në fazën e fundit të përgatitjeve për ndeshjen e parë ndaj Aluminijit, e vlefshme për turin e dytë të Conference League. Trajneri Ilir Daja pritet t’i besojë në masën më të madhe formacionit që siguroi kualifikimin përballë Astanës, duke ruajtur boshtin e skuadrës.
Në portë konfirmohet Teqja, ndërsa reparti defensiv pritet të përbëhet nga Ismaili në krahun e djathtë, Dita dhe Aliji në qendër, me Përndrecën në të majtë. Edhe pse konkurrenca mbetet e fortë me Lorran dhe Hoxhallarin, mbrojtësi i ardhur këtë verë duket se ka fituar besimin e trajnerit.
Në mesfushë nuk priten surpriza. Manellari, Qefalija dhe Qardaku janë favoritët për të formuar treshen, pasi kanë garantuar ekuilibër dhe intensitet në dy sfidat ndaj Astanës.
Edhe në repartin ofensiv shumica e zgjedhjeve duken të qarta. Lorenco Vila pritet të aktivizohet në krahun e majtë, ndërsa Hekuran Berisha do të jetë pika kryesore e sulmit. E vetmja dilemë për Ilir Dajën mbetet krahu i djathtë i ofensivës, ku Malomo dhe Ruçi vijojnë garën për një vend titullari.
Në prag të sfidës së parë në Slloveni, tekniku blu nuk pritet të eksperimentojë, duke synuar vazhdimësinë e paraqitjeve pozitive dhe një rezultat që do ta vendoste Dinamon në pozita të favorshme për ndeshjen e kthimit në Elbasan.
1 comment
[…] LEXO ME SHUME:Daja zbulon “letrat”! Formacioni i mundshëm i Dinamos për sfidën me Aluminiji… […]
Comments are closed