Pas ngjarjes së Kombinatit që ka prekur të paimagjinueshmen, banorët e një pallati në Tiranë kanë njoftuar policinë në numrin pa pagesë duke vënë në dijeni se një grua tjetër, e cila jeton një kat më lart, ka ndërprerë ushqimin dhe nuk del më nga shtëpia.
“Mora 129-ën, 129-a për 7 minuta i ka sjellë njerëzit këtu”, – shprehet banori.
Çfarë grupi ka frekuentuar?
“Grupin unë nuk e di, me gojëdhënat që janë thonë që janë me Jehovain”, – deklaron ai.
“Dy kokrra mandarina në ditë ha, dy fije patatinë dhe një çikë djathë edhe ujë. Këto ka ngrënë ajo që tre muaj”, – rrëfen e ëma.
Po pse?
“Nuk më hahet thotë”, – sqaron mamaja.
Ky është rrëfimi i nënës së Vjollcës, një inxhiniere ndërtimi, e cila darkoi për herë të fundit natën e Vitit të Ri dhe më pas me argumentin se është sëmurë ajo refuzon të ushqehet. E bindur në fjalën e të bijës, e moshuara këmbëngul se Vjollca është sëmurë, megjithëse shton se 3 vite më parë familja ia ndaloi të frekuentonte një grup fetar.
“Ia ndërpreva unë.”
Gruaja kujton se një vit më parë dy persona deshën ta takojnë, por ajo i refuzoi.
“Ata ishin me pantallona blu dhe me këmishë të bardhë”, – deklaron e ëma.
E shtrirë në krevat, Vjollca këmbëngul se është sëmurë ndaj nuk ushqehet dhe se pas njoftimit, policia i kontrolloi shtëpinë dhe madje e çuan edhe në spital.
Çfarë ndodhi që e le ushqimin?
Vjollca: Jam sëmurë…
Si e kuptove ti që kishe problem shëndetësor?
Vjollca: Jam shumë e sigurt, ky është problem mjekësor.
A je me dëshmitarët e Jehovait?
Vjollca: Jam sëmurë, po ata persona vazhdojnë më kërkojnë, ata janë të interesuar, sepse muhabeti im në një farë mënyre ka marrë zgjidhje.
Çfarë problemi kishe ti që prisje zgjidhje?
Vjollca: Prisja zgjidhje që të arrija një besim, me ata persona të arrija besimin tim.
E arrite?
Vjollca: Besimi im në një farë mënyre është përhapur, tani ka ngelur te ata persona, se unë e ndjej veten shumë sëmurë. Unë hyra sepse pashë diçka të vërtetë në besimin e tyre, jo plotësisht në atë besimin e plotë që ata kishin, sepse ata besojnë në një farë ringjalljeje të vërtetë, jo vetëm frymore.
Beson te ringjallja?
Vjollca: Besoj
Që kthehesh bashkë me trupin sërish?
Vjollca: Po kthehesh, po në një trup të përjetshëm.
Sipas një burimi të Top Channel-it, ky rast është referuar në prokurori, që do të vlerësojë nëse gruaja është vërtetë sëmurë apo po përdor justifikime për të bindur të afërmit se nuk ka motive të tjera që i di në fakt vetëm ajo. /Top Channel