Alexandar Veselinovic nuk ka dashur të bëhet pjesë e vendimeve të klubit që ka dobësuar në mënyrë të frikshme skuadrën, që duhet të synonte titullin.
Brenda dy javëve të para të janarit Partizani ka shitur katër titullarë të padiskutueshëm të skuadrës Rrapaj-Cara-Hadroji-Mba dhe deri tani është larg të zëvendësuarit të kolonave të ekipit të Veselinovic. Alexandar Veselinovic, ndoshta për të larë veten para tifozëve, apo se ndihet i tradhtuar (kur e sollën iu kërkua titulli kampion), është pozicionuar qartë kundër largimeve. Madje ai ka akuzuar hapur drejtuesit e klubit, më saktë drejtorin sportiv Arbër Abilaliaj se nuk është askund me merkaton, përtej deklarimet për përforcime të mëdha.
“Nuk mund të komentoj intervistën e drejtorit sportiv pasi nuk e kam parë. Momentalisht mund të them se nuk kemi tre përforcime, por vetëm një, Padstrelau. Përsa i përket Sodiq nuk e di as ku ndodhet, në cilën pjesë të planetit jeton, nuk e kam fare idenë. Guxhufi ka ardhur po nuk është se jam konsultuar apo informuar nga dikush”, tha Veselinovic. Në këtë pikë, kur një trajner del në konferencën për shtyp me akuza të forta ndaj punës së drejtuesve të klubit, duke i përplasur në media, natyrisht që thyerja është e pashmangshme. Abilaliaj dhe Demi janë duke analizuar situatën për të përcaktuar mënyrën e veprimit.
Largimi i Veselinovic përvec kostos financiare, që do ti shtohej asaj që iu pagua Shehit, do të rrezikonte edhe rezultatet. Nga ana tjetër, nëse pranohet kjo shfryrje dufi e serbit, atëherë nga klubi bëhet e pamundur më pas ti kërkohet llogari trajnerit për rezultatet që do të vijnë, duke qenë se merkato është mbushëse dhe aspak përmirësuese.
1 comment
[…] LEXO ME SHUME:Veselinovic akuzon drejtuesit për merkaton e zhvilluar, Partizani bën gati shkarkimin […]
Comments are closed