Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin Milkjor Gjoka, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit Ridvan Hyseni, i njohur edhe si Ridvan Ramazani, në fshatin Mushan të Njësisë Dajç.
Gjykata ka dhënë masë lehtësuese “Detyrim me paraqitje” për dy dëshmitarët Blerim Mlloja dhe Marjeta Gramshi, të arrestuar për veprën penale “Moskallëzim krimi”, si dëshmitarë në vrasjen e 46- vjeçarit.
Ka qenë vetë prokuroria që kërkoi masën “Detyrim paraqitje” për dy dëshmitarët, ndërsa për Milkjor Gjokën organi i akuzës kërkoi “Arrest me burg”, masë të cilën e dha edhe gjykata. Shtetasi Milkjor Gjoka deklaroi seancën e djeshme se ai nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e ndodhur pak ditë më parë, duke mohuar kështu akuzat ndaj tij.
Gjoka tha se ka qenë rastësisht në vendin e ngjarjes, duke mohuar se ka bashkëpunuar me vëllezërit Mehmedaj që dyshohen si autorë të vrasjes së Ridvan Hysenit.
Ndërkohë Milkjor Gjoka nuk ka dhënë sqarime të mëtejshme rreth ngjarjes. Pala mbrojtëse kërkoi një masë më lehtësuese, por gjykata vendosi “Arrest me burg”. Nga ana tjetër dy dëshmitarët edhe në Polici kanë treguar se ata nuk e kanë parë ngjarjen e ndodhur dhe se nuk e kanë idenë se si ka ndodhur.
Të dy shtetasit, Blerim Mlloja dhe Marjeta Gramshi, janë punonjës të karburantit në fshatin Mushan në afërsi të të cilit ndodhi edhe vrasja e Ridvan Hysenit.
Marjeta Gramshi ka deklaruar se ka qenë brenda godinës së karburantit dhe nuk ka parë asgjë ndërsa edhe Blerim Mlloja ka deklaruar se nuk e ka parë ngjarjen. Të dy dëshmitarët kanë qenë të tronditur për vrasjen e ndodhur në afërsi të vendit të tyre të punës, gjë e cila ia ka shpërqendruar vëmendjen.
NGJARJA
Ridvan Hyseni, i njohur edhe si Ridvan Ramazani, një nga “Të fortët” e Shkodrës, u ekzekutua me mbi 15 plumba në një atentat, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ndodhi në fshatin Mushan të Njësisë Dajç.
Ka qenë ora 11:20 e 28 nëntorit, kur në afërsi të një pike karburanti në rrugën kryesore të fshatit Mushështë vrarë me armë zjarri brenda në mjetin e tij tip “BMW X5”, ngjyrë e bardhë, shtetasi Ridvan Hyseni, 46 vjeç banues në fshatin Darragjat të Njësisë Dajç, Bashkia Shkodër.
Viktima ka qenë i vetëm në mjetin e tij tip “BMW”, kur njëri nga vëllezërit Mehmedaj dyshohet se ka qëlluar me breshëri në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend. Ridvan Hyseni nuk ka mundur që të bëjë asnjë lëvizje në këtë atentat që i mori jetën.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilët kanë rrethuar gjithë zonën dhe nisën hetimet paraprake për këtë ngjarje të rëndë.
Efektivëve në ndihmë i kanë ardhur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat RENEA nga Tirana duke kontrolluar gjithë zonën dhe duke bërë aktet e ekspertimit. Trupi i pajetë ka qëndruar brenda makinës në të cilën u qëllua përreth dy dorë derisa Policia ka kryer veprimet hetimore në vendngjarje. Më pas në rrethim është futur një ambulancë e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës duke marrë trupin e pajetë të viktimës dhe duke e transportuar drejt morgut të Spitalit Rajonal të Shkodrës për ekzaminime të mëtejshme.
Ridvan Ramazani u vra pas debatit të të birit
Ridvan Hyseni, ose Ridvan Ramazani, është vrarë pas një debati që ka pasur djali i tij me vëllezërit Mehmedaj.
Palët kanë zhvilluar një debat mes njëri-tjetrit në afërsi të një lokali dhe më pas janë larguar. Sipas Policisë vendore të Shkodrës, Ridvan Hyseni ka dashur që të sqarohet me vëllezërit Mehmedaj të cilët kanë shkuar në fshatin Mushan ku jetonte viktima.
Ky i fundit i ka pritur në makinën e tij tip “BMW X5” dhe kanë kërkuar që të sqarohen, por në debat e sipër situata ka agravuar dhe njëri nga vëllezërit Mehmedaj, Duel Mehmedaj, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatik kallashnikov duke lënë të vdekur në vend shtetasin Ridvan Ramazani.
Menjëherë forcat e Policisë janë vënë në kërkim të autorëve. Efektivët kanë arritur që në rrugë operative të marrin informacionin e duhur për konfliktin që ka pasur djali i viktimës, duke arritur tek autorët e dyshuar. Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur dyshohet se autorët kanë lëvizur me motor në drejtim të paditur duke arritur që të fshihen në kohë.
Megjithatë një numër i madh efektivësh janë vënë në lëvizje në kërkim të autorëve të dyshuar të kësaj vrasjeje, duke kontrolluar të gjithë zonën, por edhe kudo tjetër ku mendohet se mund të kenë lëvizur vëllezërit Mehmedaj.
Efektivëve në ndihmë u kanë ardhur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat RENEA nga Tirana, duke kontrolluar gjithë zonën dhe duke bërë aktet e ekspertimit.
Burimi: Panorama.al