Pas një agonie disa ditore, ka ndërruar jetë në spitalin e L’Aquila, bosi i Cosa Nostra-s, Matteo Messina Denaro, i cili u arrestua pak kohë më parë pas më shumë se 30 vitesh arrati.
Mediat italiane shkruajnë se bosi mafioz 62-vjeçar vuante nga një formë e rëndë e kancerit të zorrës së trashë, e cila u diagnostikua ndërsa ishte ende në kërkim.
Pas kapjes së tij, Messina Denaro iu nënshtrua kimioterapisë.
Në 9 muajt e paraburgimit, ai iu nënshtrua dy operacioneve kirurgjikale të lidhura me ndërlikimet e kancerit.
Bosi i Cosa Nostra u arrestua në janar të këtij viti pas një bastisjeje të kryer në një klinikë private në Palermo. Messina Denaro vazhdonte t’i nënshtrohej trajtimeve onkologjike nën emrin e rremë Andrea Bonafede, topografi i familjes Bonafede, i cili kishte vepruar si figurë e tij.
Falë kombinimit të disa të dhënave nga dosjet mjekësore dhe hetimeve të gjata të kryera nga policia, ai u identifikua si pacient i objektit mjekësor privat La Maddalena dhe u arrestua pak para një vizite në klinikë. Pas arrestimit më 16 janar, Messina Denaro iu nënshtrua regjimit special të paraburgimit në L’Aquila.
62-vjeçari ishte dënuar me burgim të përjetshëm si nxitës i masakrave të ’92. Për vite me radhë Messina Denaro jetoi si i arratisur në Siçili dhe më pas, ndoshta për shkak të sëmundjes së tij, ai u identifikua nga autoritetet, të cilët për një kohë të gjatë punuan për të sulmuar rrjetin e mbështetësve që lejuan të arratisurin të vazhdonte të fshihej për vite me radhë.
Pas disa muajsh hetime, autoritetet arritën ta arrestonin në bastisjen e kryer pranë klinikës në fund të janarit.