Klubi i Lirisë së Prizrenit dëshiron që të kthehet sa më shpejt në elitën e futbollit kosovar. Ndaj për këtë arsye, po përforcohet me lojtarë cilësorë të cilët ta ndihmojnë që të dominojë kategorinë në sezonin që do të fillojë pas disa javësh. Për këtë arsye, Liria ka bërë ndërhyrje në merkato duke piketuar emra që kanë spikatur edhe në futbollin shqiptar. Një ditë më parë ky klub prezantoi Silvio Zogajn, ndërsa tani, ka bërë zyrtare firmën edhe me një emër të njohur sidomos në Kategorinë e Parë, sulmuesin Jasmin Raboshta.
POSTIMI I KLUBIT LIRIA
“FC Liria ka kënaqësinë të njoftojë se Jasmin Raboshta ka nënshkruar kontratën për sezonin e ardhshëm me klubin.
Raboshta, një sulmues me përvojë të madhe si në ligën shqiptare, të Kosovës po ashtu të Turqisë, pritet të sjellë një kontribut të rëndësishëm në qendrën e sulmit të ekipit. Gjatë karrierës së tij të gjatë, Jasmin Raboshta ka treguar shpesh aftësinë e tij për të shënuar gola dhe për të krijuar raste të rrezikshme për ekipin e tij. Përvoja e tij në futbollin shqiptar dhe kosovar e bën atë një lojtar të vlefshëm dhe të respektuar.
Nënshkrimi i kësaj kontrate është një hap i rëndësishëm për FC Liria, e cila shpreson të përfitojë nga aftësitë dhe përkushtimi i Jasmin Raboshtës për të përmirësuar sulmin dhe për të arritur objektivat e sezonit të ardhshëm”, shkruhej në njoftimin e klubit që zyrtarizonte kështu firmën me sulmuesin i cili në sezonin e kaluar ishte pjesë e Vorës në Kategorinë e Parë.