Deputetja e PL-së Monika Kryemadhi ka dhënë një deklaratë për mediat pas daljes nga SPAK ku ishte thirrur për t’u pyetur për inceneratorin e Tiranës. Hetimet për inceneratorin e Tiranës, kanë marrë një kthesë tjetër.
SPAK ka thelluar hetimet për aferën e inceneratorit të Tiranës, për të cilin janë dhënë paratë, por që në vërtetë nuk u ndërtua kurrë. Sot janë pranuar prova të reja nga SPAK, nëpërmjet deputetes së PL-së, Monika Kryemadhi.
E pyetur se nëse është në dijeni se në çfarë faze janë hetimet nga SPAK, Kryemadhi e anashkaloi disi pyetjen duke thënë se mbështetja financiare është një nga problemet që ka inceneratori i Tiranës. Sipas saj edhe pse nuk ekziston një incenerator në kryeqytet, jepen para nga buxheti i shtetit. “Ajo që kemi parë ne, tashmë ka vënë autoritetet në lëvizje. Është një punë që kërkon kohë, angazhim e seriozitet por me besim të plotë gjërat të realizohen. Shpresoj të triumfojë drejtësia për qytetarët shqiptarët. Unë vazhdova me faktet e mia. Një nga problemet që ka inceneratori i Tiranës përsa i përket edhe për Agaçin e Kokën, ka të bëjë me rastin e mbështetjes financiare. Pra mbështetja financiare që i është dhënë një projekti që në kontratë nënshkruhet se do të investojë 128 milion euro që ditën e parë. Janë kontratat që vazhdojnë që 30 vite. Edhe pse nuk ka incenerator paratë po jepen.”- tha ajo.