Pas katër sezonesh të suksesshme me fanellën e Egnatias, aventura e Abdurrahman Fangajt në Rrogozhinë duket se po shkon drejt fundit. Mbrojtësi i krahut të djathtë, i cili ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës në vitet e fundit, pritet të ndryshojë ambient gjatë merkatos së verës, ndërsa destinacioni më i mundshëm për të mbetet Teuta. Burime pranë klubit durrsak bëjnë me dije se kontaktet mes palëve kanë avancuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit dhe bisedimet po shkojnë drejt një marrëveshjeje. Fangaj konsiderohet si një nga prioritetet e merkatos për Teutën, që synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për sezonin e ardhshëm.
Një rol të rëndësishëm në këtë lëvizje po luan trajneri Edlir Tetova. Tekniku, i cili së fundmi mori drejtimin e Teutës, e njeh shumë mirë mbrojtësin shkodran nga periudha e bashkëpunimit te Egnatia dhe vlerëson maksimalisht cilësitë e tij. Pikërisht për këtë arsye, Tetova ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që të bëjnë çdo përpjekje për të siguruar shërbimet e 28-vjeçarit.
Fangaj ka qenë një nga elementët më të qëndrueshëm te Egnatia, duke kontribuar në sukseset e skuadrës si në kampionat ashtu edhe në Kupë. Megjithatë, me kontratën që po shkon drejt fundit dhe interesimin konkret të Teutës, një transferim në Durrës duket një skenar gjithnjë e më i mundshëm. Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e mbrojtësit, i cili mund të jetë një nga goditjet e para të rëndësishme të merkatos verore në Superiore.
1 comment
Comments are closed
Add Comment