Tre çështje në FIFA dhe largime të rëndësishme, verë e nxehtë për klubin e Kategorisë së Parë

FIFA

Përgatitjet e Kastriotit për sezonin e ri nuk pritet të jenë aspak të lehta. Përveç bllokimit të merkatos nga FIFA, për shkak të tre çështjeve ende të hapura, drejtuesit krutanë po përballen edhe me një tjetër problem të madh, largimin e futbollistëve që kontribuuan në edicionin e fundit.

Me përfundimin e kontratave më 31 maj, dita e parë e qershorit ka shënuar nisjen e një vale largimesh nga skuadra krutane. Disa lojtarë kanë zgjedhur ta mbyllin në heshtje aventurën e tyre me Kastriotin, ndërsa të tjerë e kanë bërë publik vendimin për t’u ndarë me klubin. I pari që konfirmoi largimin ishte mbrojtësi Alesandro Kacbufi. Së fundmi, të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe mbrojtësi i krahut të majtë, David Gjinollari, i cili ka njoftuar përfundimin e bashkëpunimit me klubin përmes një mesazhi publik. “Nuk jam më pjesë e KS Kastrioti. Dua të falënderoj presidentin, drejtorin, trajnerin, stafin dhe shokët e ekipit për çdo moment që kaluam së bashku”, shkroi Gjinollari. Ndërkohë, edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar, në ambientin krutan flitet se larg Kastriotit mund të jetë edhe trajneri Ramazan Ndreu.

Tekniku me eksperiencë arriti të realizojë një sezon pozitiv, duke e renditur skuadrën në zonën “play off”, pavarësisht se në fillim të kampionatit Kastrioti konsiderohej një nga kandidatët kryesorë për rënien në Kategorinë e Dytë. Vera pritet të jetë tepër e nxehtë për drejtuesit e klubit krutan, të cilët kanë përpara një sërë enigmash për të zgjidhur. Prioritet mbetet zhbllokimi i merkatos, një problem që ndikoi ndjeshëm edhe gjatë afatit kalimtar të dimrit, kur skuadra nuk kishte mundësi të federonte futbollistë të rinj. Në të njëjtën kohë, Kastrioti duhet të menaxhojë edhe largimet e shumta, për të mos rrezikuar dobësimin e ekipit për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, drejtuesit kanë dhënë prova për të kaluar pengesa të tilla, pasi edhe vjet kanë pasur thuajse të njëjtën situatë. FIFA

Related posts

Edlir Tetova insiston, Teuta pranë marrëveshjes me yllin e Superiores (EMRI)

Gjobë marramendëse dhe përjashtim nga aktiviteti, tronditet futbolli shqiptar

“Mirë se vini në të ardhmen”, mesazhi i Gaz Demit që shoqëron transformimin e stadiumit “Arena e Demave”