Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: sofra e gjakoves

  • Tavë nga sofra e Gjakovës/ Traditë dhe shije

    Tavë nga sofra e Gjakovës/ Traditë dhe shije

    Një recetë e vjetër dhe specialitet i hershëm i kuzhinës kosovare, tipike e zonës së Gjakovës.

    Fantastike në shije dhe e pasur në përbërës dhe vlera ushqyese gjithashtu.

    Kuzhina gjakovare është me nam për shijen e saj teksa kërkon mjeshtërinë e amvisave në përgatitjen e gatimeve të ndryshme.

    AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e tavës me mish vish viçi e perime e cila kërkon pak durim në përgatitje por shija në fund do të jetë mahnitëse.

    Ky gatim shoqërohet me sallata të freskëta të stinës, e sidomos me zahiretë tradicionale siç janë turshitë e ndryshme.

    Përgatitja e Tavës Gjakovare me Perime dhe Mish

    Përbërësit:

    (Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

    4-5 thela mish viçi

    Dy kunguj të njomë

    Dy patëllxhanë mesatarë

    2-3 karrota

    3 speca jeshilë

    1 spec djegës

    4-5 kokrra qepë

    1 kg domate

    6-7 thelpinj hudhra

    Kripë

    Piper i zi

    Piper i kuq

    Majdanoz i freskët

    4-5 lugë gjelle vaj ulliri

    Përgatitja:

    Si fillim pastrojmë copat e mishit dhe i vendosim në një tenxhere me ujë. I vendosim në zjarr dhe i lëmë të ziejnë sa të marrin një valë.

    Ndërkohë nisim të presim me rradhë të gjithë perimet.

    Grijmë qepët përmes një thike të mprehtë dhe i vendosim në një tjetër tenxhere, shtojmë vaj ulliri dhe i vendosim në zjarr duke i kaurdisur.

    Në vijim grijmë hollë specin djegës si dhe specat jeshilë.

    I shtojmë në tenxheren ku po kaurdisim qepët.

    Më pas shtojmë karrotat e grira në kubikë dhe i kaurdisim të gjitha bashkë.

    Shtojmë kungulleshkat e prera në kubikë si dhe patëllxhanët duke i kaurdisur të gjithë bashkë derisa volumi i tyre të bjerë.

    Ndërkohë, domatet e grira, i kriposim pak, u hedhim pak vaj ulliri, hudhrat, pak piper të zi dhe të kuq,  majdanoz të grirë hollë, i vendosim në një tavë dhe i fusim në furrë duke i trazuar herë pas here.

    Domatet i lëmë në furrë përreth 30 minuta.

    Më pas, perimet i shtojmë në tavën me domate dhe i përziejmë të gjitha bashkë, e provojmë për kripë nëse është në masën e duhur.

    Heqim tenxheren e mishit nga zjarri dhe copat e mishit i vendosim në tavë.

    Tavës i shtojmë një gotë me lëngun e mishit dhe e fusim të piqet në furrë. Pas pjekjes mund t’i shtoni edhe erëza të tjera të freskëta sipas preferencës.

    Burimi: AgroWeb.org