Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: orari

  • Sekreti i orarit të ngrënies për të rënë nga pesha!

    Sekreti i orarit të ngrënies për të rënë nga pesha!

    Ushqyerja është e lidhur ngushtë me rënien në peshë po aq sa shpërndarja e vakteve gjatë ditës.

    Nga studimet e vazhdueshme për këtë çështje, ekspertët kanë dalë në konkluzionin se ngrënia e vakteve herët gjatë ditës mund të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të peshës.

    Studimi më i fundit analizoi mënyrën dhe orarin e të ngrënit të disa personave duke i ndarë ato në disa kategori.

    Për katër ditë me rradhë, grupi i parë i konsumoi të gjitha vaktet nga ora 08:00 deri në orën 14:00.

    Grupi i dytë i konsumoi të gjitha vaktet nga ora 08:00 deri në orën 20:00.

    Në fund të periudhës së provës, studiuesit zbuluan se grupi i parë nuk dogji shumë kalori ama pësoi një rënie të oreksit.

    Ata konfirmuan se hormoni i urisë ghrelina ishte në nivele më të ulëta në mëngjes, por akoma më të ulëta në mbrëmje.

    Dëshira për të ngrënë ishte më e ulët kur njerëzit ushqeheshin me orar, por rritej rreth orës 22:30  pak përpara gjumit.

    Grupimi i Vakteve Nuk Është i Përshtatshëm Për Të Gjithë

    Studiuesit shpjegojnë se grupimi i të gjitha vakteve brenda një fashe orari nuk është një qasje e përshtatshme për të gjithë.

    Për shembull, personat që merren me sport kanë shumë vështirësi për tu mësuar me një mënyrë të tillë ushqyerje.

    Ata kanë një orar të caktuar ushqimi dhe aktiviteti fizik dhe zbatimi i një metode të tillë nuk u vjen për shtat.

    Personat që vuajnë nga diabeti kanë probleme të tjera dhe kjo sëmundje i detyron ato të hanë më shpesh.

    Gratë shtatzëna apo persona që vuajnë nga sëmundje të rënda, mund ta kenë të vështirë që të konsumojnë të gjithë vlerat ushqimore në aq pak kohë.

    Gjithashtu personat që kanë patur probleme me çrregullime me ushqyerjen siç janë rastet e anoreksisë apo bulimisë, një regjim i tillë nuk këshillohet.

    Këshillat që Duhen Ndjekur

    Gjithsesi para se të ndërmerrni këtë hap, këshillohuni parimisht me mjekun përkatës.

    Këshillohet gjithashtu që të mos e lini mëngjesin pa ngrënë, duke qenë se është dhe vakti më i rëndësishëm i ditës.

    Nëse vini re që gjatë këtij regjimi trupi juaj jep shenja si marramendja, nivel i ulët i sheqerit apo i tensionit, ndërpriteni menjëherë.

    SI dhe ajo që është e rëndësishme është që të mos hani më shumë se zakonisht gjatë orareve të përcaktuara, pasi kështu do të shtoni në peshë.

  • Rrit produktivitetin dhe përmirëson shëndetin mendor, Spanja me katër ditë punë në javë

    Rrit produktivitetin dhe përmirëson shëndetin mendor, Spanja me katër ditë punë në javë

    Spanja mund të bëhet një nga vendet e para në botë që do të zhvillojë javën me vetëm katër ditë punë pasi qeveria ra dakord të nisë një projekt pilot për kompanitë e interesuara në këtë ide.Më parë këtë vit, partia e majtë spanjolle Mas Pais njoftoi se qeveria kishte pranuar propozimin e saj për të provuar idenë.

    Partia ka sugjeruar që projekti të drejtohet nga një panel ekspertësh përfshirë përfaqësues nga qeveria, sindikatat e punëtorëve dhe lobet e biznesit, të cilët gjithashtu do të ndihmojnë në analizimin e rezultateve.

    Nga Zelanda e Re në Gjermani, ideja është duke fituar terren globalisht prej kohësh. I përshëndetur nga përkrahësit e tij si një mjet për të rritur produktivitetin, për të përmirësuar shëndetin mendor të punëtorëve dhe për të luftuar ndryshimin e klimës, propozimi ka marrë një rëndësi të re ndërsa pandemia mpreh çështjet rreth mirëqenies, dhe ekuilibrit të jetës e punës.

    Megjithatë ajo është përballur edhe me kundërshtime, me një nga udhëheqësit nga shoqatat kryesore të biznesit të vendit që e përshkruan atë si “çmenduri” në prag të recesionit më të keq të vendit që nga lufta civile.

    Ndërsa Spanja shkon përpara me projektin, përparimi i saj po ndiqet nga afër në Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë botën.

  • Me ikjen e festave lehtësohen edhe masat anti-Covid/ Ja kur zhvendoset ora policore

    Me ikjen e festave lehtësohen edhe masat anti-Covid/ Ja kur zhvendoset ora policore

    Prej sot, kufizimi në lëvizje zhvendoset sërish në orën 22:00 të mbrëmjes. E njëjta gjë ndodh edhe me baret dhe restorantet, për të cilat kufizimi i aktivitetit rikthehet po ashtu në orën 22:00.

    Në fund të dhjetorit, Ministria e Shëndetësisë vendosi ashpërsimin e masave për shkak të festave. Kështu, për një periudhë 10-ditore, orët policore u zhvendosën në 20:30. Në vendimin e marrë, Komiteti Teknik i Ekspertëve argumentonte se ky kufizim do të zgjaste deri në datën 4 janar, më pas do të qëndronin në fuqi masat e ndërmarra në fillim të muajit. “Duke qenë se kemi hyrë në një periudhë të festave, bazuar në vlerësimin e riskut që sjellin grumbullimet dhe shtimi i kontakteve, pas kësaj analize të situatës kemi marrë disa vendime.

    Kemi vendosur: Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 06:00 të mëngjesit, duke filluar nga data 24 dhjetor deri në datën 4 janar. Po ashtu, kemi marrë vendim: kufizimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve, fast food, lokale, që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00, duke filluar nga data 24 dhjetor deri në datën 4 janar, duke përjashtuar shërbimin në banesë, pra, atë delivery”, tha Manastirliu në daljen e saj për mediat pas vendimit të marrë.

    Por prej sot, orët policore apo kufizimi në lëvizje zhvendoset sërish kur akrepat të kenë shënuar 22:00. Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-albania. Këto masa, siç është bërë e qartë edhe nga ministria, do të jenë në varësi edhe të situatës. Përgjatë kësaj periudhe, shifrat ditore të të infektuarve kanë ardhur në rënie, por nëse do të ketë sërish shtim të rasteve pozitive me COVID-19, atëherë do të rivendosen sërish masat kufizuese.