Jodi është thelbësor për shumë funksione të organizmit megjithatë ky i fundit as nuk e prodhon dhe as nuk e sintetizon vetë.
Mungesa e jodit pengon gjendrën e tiroides të prodhojë hormone të mjaftueshme për rritjen, metabolizmin dhe shumë procese të tjera të rëndësishme.
Në mungesë të hormoneve, nivelet e energjisë bien ndërkohë që gjendja fizike dhe emocionale e njeriut përkeqësohet.
Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni më shumë për rolin e jodit dhe marrëdhënien e tij me tiroiden.
Përse Është I Nevojshëm Është Jodi Për Shëndetin e Tiroides
Gjendra e tiroides ndodhet në pjesën e përparme të qafës dhe prodhon hormone T3 dhe T4 të cilat kanë një ndikim në zhvillimin fizik dhe mendor, zhvillimin e qelizave dhe metabolizmin.
Por që të prodhojë këto hormone tiroidja ka nevojë për jod.
Ky i fundit ndihmon në konvertimin e hormonit stimulues TSH në hormone T3 dhe T4.
Ky proces është shumë i rëndësishëm për tiroiden e shëndetshme.
Prishja e ekuilibrave të jodit në organizëm mund të shkaktojë : hipotiroidizem dhe hipertiroidizëm.
Rreth 70-80 përqind e jodizt gjendet në pjesën e qafës ndërsa pjesa tjetër në muskuj, vezore dhe gjak.
Të dhënat e organizatave të huaja tregojnë se rreth 2 miliardë njerëz në botë rrezikohen nga mungesa e jodit dhe 300 milion të tjerë vuajnë nga problemet me gjendrën tiroide.
Dozat e Nevojshme Të Jodit Për Çdo Njeri
Sasia e duhur e jodit për çdo njeri është në varësi të moshës.
Foshnjet deri në 6 muaj kanë nevojë për 110 mikrogramë jod në ditë.
Fëmijët nga 7 deri në 12 muaj kanë nevojë për 130 mikrogramë jod në ditë.
Fëmijët nga 1 deri në 8 vjeç kanë nevojë për 90 mikrogramë jod në ditë.
Adoleshentët dhe të rriturit për 150 mikrogramë në ditë ndërsa gratë shtatzëna dhe ato lehonë për 220 dhe 290 mikrogramë jod respektivisht.
Ushqimet më të pasura me jod janë peshku ton, kosi, djathi, vezët dhe mishi.
Zhvillimi i vazhdueshëm global duket se ka patur një ndikim të fortë në mungesat e mineraleve tek produktet e natyrës.
Një prej tyre është pamjaftueshmëria e jodit, që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë prek deri në 2 miliardë njerëz në të gjithë planetin.
Sipas OBSH, 5 milionë njerëz janë duke vuajtur nga simptoma shumë serioze siç është edhe dëmtimi në tru.
Një nga efektet e pamjaftueshmërisë së jodit në organizëm, është prodhimi jo normal i hormoneve nga gjëndrra tiroide.
Duke qenë se kjo gjendër përpunon dhe prodhon hormone që kontrollojnë metabolizmin, problemet shëndetësore që mund të lindin si pasojë e tiroides problematike janë të mëdha.
Fillimisht mund të mos ketë tregues nga i cili mund të mësoni se po vuani nga pamjaftueshmëria e jodit.
Tiroidja do të arrijë të kompensojë këtë mungesë duke prodhuar më shumë hormone, një veprim që do të çojë në zmadhimin e saj.
Rrjedhimisht, mosmarrja e mjaftueshme e jodit nga ushqimi do të shkaktojë një sërë problemesh siç janë pesha, ngadalësimi i funksioneve të trurit, depresioni, lodhja dhe një sistem i dobësuar imunitar.
Për më tepër, komplikacionet që vijnë nga defiçenca e jodit kanë nevojë për kundërveprim të menjëhershëm mjekësor.
Komplikacionet mund të variojnë nga humbja e kontrollit, konfuzioni, deliri, halucinacionet, dhimbjet në kraharor ose vështirësitë në frymëmarrje.
Femrat shtatzënë që nuk arrijnë të marrin sasi të mjaftueshme të jodit mund të përjetojnë hemoragji.
Përfshirja e ushqimeve të pasura me jod në ushqimin tuaj mund t’ju ndihmojë të mbani larg problemet që shkakton mungesa e këtij minerali të rëndësishëm.
Por, përpara se të diskutojmë për këto probleme, lexoni më poshtë disa prej shenjave të listuara nga AgroWeb.org, ndaj të cilave duhet të tregoni kujdes.
Po shtoni peshë të padëshiruar
Një nga efektet e të pasurit probleme me tiroiden është dobësimi i metabolizmit që shkakton shtimin në peshë.
Mund të jeni duke u lodhur shumë për të humbur kilogramët e tepërta, duke ngrënë shëndetshëm ose duke u stërvitur mjaftueshëm.
Por ritmi metabolik mund të rimëkëmbet vetëm duke e rivendosur tiroiden në rrugën e duhur.
Jeni vazhdimisht të lodhur dhe pa gjallëri
Një metabolizëm i ngadaltë ju bën të shtoni në peshë, por gjithashtu ju bën të ndiheni të lodhur gjatë gjithë kohës.
Kjo është një gjë që pritet nëse gjendra e tiroides nuk është në gjendjen e duhur, sepse kthimi i karbohidrateve dhe yndyrnave në energji në shërbim të qelizave tuaja, është i ngadalësuar.
Ndiheni në depresion
Është normale që herë pas here, të ndiheni të këputur e të rënë përtokë. Por nëse kjo gjendje nuk largohet shpejt, dhe nëse shoqërohet me ndryshime në fjetje, mungesë oreksi dhe dobësi, atëherë situata nuk është aspak normale.
Nëse vini re që ndiheni të depresionuar për shumë kohë, mundohuni të hani ushqime të pasura me jod.
Vuani gjithmonë nga alergjitë dhe infeksionet
Një nga efektet e mungesës së jodit është dobësia e sistemit imunitar. Nëse nuk jeni duke marrë mjaftueshëm jod nga dieta juaj, atëherë do të vuani vazhdimisht nga i ftohti, kolla, gripi dhe virozat.
Me çorientimin e gjendrës tiroide, ju do të jeni më të brishtë ndaj dëmeve të shkaktuara nga radikalet e lira dhe mikrobet pushtuese.
Keni lëkurë të thatë dhe ju bien flokët
Nëse jeni të kujdesshëm për pamjen tuaj, atëherë sigurohuni që në tryezën tuaj nuk mungojnë ushqime të pasura me jod.
Në të kundërt, do të keni një lëkurë shumë të thatë dhe do t’ju bien flokët. Nëse flokët janë një nga karakteristikat më të mira fizike që keni, atëherë duhet të kujdeseni për to, dhe të konsumoni ushqime të pasura me jod.
Këto janë disa prej shenjave që tregojnë se ju keni shumë nevojë për ushqime të pasura me jod. Por cilat janë këto ushqime? Lexoni më poshtë listën e përgatitur nga AgroWeb.org:
• Qumështi • Kosi • Djathi Cheddar (i verdhë) • Patatet • Merluci • Peshku ton • Karkalecat • Aragosta • Alga deti të thata • Gjoks gjeldeti • Bishtaja • Kumbulla të thata • Boronica të kuqe • Banane • Luleshtrydhe
Nëse vuani nga mungesa e jodit, kujdesuni që këto ushqime t’i keni në ushqimin tuaj të përditshmëm.