Lajmet e fundit | Klikoje.al

Tag: Europa

  • BE do të veprojë kundër lajmeve të rreme “fake news”

    BE do të veprojë kundër lajmeve të rreme “fake news”

    Një komision i posaçëm i Parlamentit Europian do të zbulojë dhe luftojë ndikimin e huaj kibernetik. Sidomos në kohët e Coronës fushatat dezinformuese janë shtuar, beson BE.

    Në pranverë Brukseli ngriti alarmin: „Në kohën e krizës së Coronës, Europa është përmbytur nga fushata dezinformuese”, thotë zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Vera Jourova. Këto fushata nuk janë të rrezikshme vetëm për arsye shëndetësore, ato synojnë hapur gërryerjen e besimit tek qeveritë dhe mediat.

    Si shembull KE merr rritjen e menjëhershme të numrit të kundërshtarëve të vaksinës në Gjermani. Në më pak se dy muaj, sipas një studimi, gatishmëria për vaksinim në Gjermani ra me 20%. Pretendimi tjetër i përhapur në mediat sociale, se pirja e lëndëve zbardhuese ndihmon kundër Coronës shihet po ashtu si një përpjekje për çorientim. „Dezinformimi në kohët e pandemisë së Coronës mund të vrasë”, thotë i ngarkuari i BE për politikën e jashtme, Joseph Borrell.

    Sidomos teoritë konspirative gëlojnë në internet. Njëra prej tyre thotë, se luftimi i virusit dikur do të përdoret si pretekst për vaksinimin masiv të popullsisë apo që themeluesi i Microsoftit, Bill Gates bashkë me BE duan të përgjojnë njerëzit.

    Propagandë dhe sulme kibernetike

    Pikërisht për të luftuar këto fushatë, Parlamenti Europian ka krijuar një komision të posaçëm që fillon tani nga puna. E në fokus të komisionit nuk do të jetë vetëm Corona. Pas fushatave, BE shikon përpjekje sidomos të Kinës apo Rusisë për të rrënuar demokracitë në BE dhe me këtë të dobësojë Bashkimin Eurooian dhe rolin e tij në botë.

    Ky komision do të identifikojë në fillim hapësirat, se ku përhapen informacionet e rreme. Njëra prej tyre duket se qëndron në përpjekjet për ndikimin në zgjedhje. Pak para zgjedhjeve europiane, deputetë të Parlamentit Europian janë ankuar për propagandë masive nga Rusia. Deputetët kanë raportuar jo vetëm për dezinformim, por edhe për sulme kibernetike apo në infrastrukturën zgjedhore. Dhe aktorë të caktuar politikë që janë të afërt me porositësit në vende të treta i mbështesin ata direkt ose jo direkt. Kështu ka dyshime se populistja e djathtë dhe ish-europarlamentarja, Marine Le Pen ka marrë fonde nga Kremlini. Le Pen i ka kritikuar gjithmonë sanksionet kundër Rusisë.

    Platformat e mëdha luajnë rol kryesor

    Partnerët kryesorë të BE në këtë luftë janë platformat e mëdha online si Facebook, Twitter dhe Google. BE kërkon t’i detyrojë ata ta veprojnë më ashpër kundër informacionit të gabuar dhe të ofrojnë të dhëna tek studiuesit. “Nuk ka një bashkëpunim strukturor mes platformave dhe bashkësisë studimore”, bëri të ditur KE para pak ditësh. “Platformat duhet të bëhen më të përgjegjshme, më transparente, e t’u kërkohet më shumë llogari”, thotë zëvendëspresidentja e KE, Jourova. Komisionit nuk i mjaftojnë masat e marra nga vetë gjigandët e mediave sociale. Së shpejti do të publikohen propozimet e reja.

    Që në qershor, kur u krijua komisioni i posaçëm, KE ka kërkuar nga platformat online që të bashkëpunojnë ngushtë me verifikuesit e fakteve dhe të ofrojnë raportim mujor për punën e tyre në luftë kundër informacioneve të falsifikuara. Rezultate pozitive vihen re që tani, sipas Brukselit. Burimet e besueshme bëhen më prezente, lajmet çorientuese hiqen. Facebook dhe Instagram i janë referuar autoriteteve shëndetësore si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe kanë hequr reklamat e produkteve mjekësore të fallsifikuara apo shumë të shtrenjta.

    Ku fillon censura?

    Federata Europiane e Gazetarëve, Këshilli Europian i Botuesve dhe Shoqata e TV-privatë në Europë mendojnë, se këto masa nuk mjaftojnë. Europa i beson më shumë se duhet vullnetit të mirë të aktorëve të rëndësishëm online, shkruajnë këto organizata në një deklaratë të përbashkët në korrik dhe kërkuan sanksione “të efektshmme”, nëse koncernet nuk i përmbajne kodit të mirësjelles.

    Ka edhe një vështirësi tjetër: Verifikuesit e fakteve veprojnë në një territor të pasigurtë. Shpesh nuk është e lehtë të përcaktosh fake news e t’i dallosh ato nga shprehja e një mendimi ndoshta ekstremist. Kritikët i tremben ndërhyrjeve në lirinë e mendimit. “Nuk dua të krijoj ministrinë e së vërtetës”, tha Vera Jourova para komisionit. Edhe komisioni i posaçëm i parlamentit duhet të përballet rregullisht me këtë problem në luftën kundër fake news.

    Burimi: DW

  • Si do të zgjidhet problemi me azilkërkuesit në Greqi?

    Si do të zgjidhet problemi me azilkërkuesit në Greqi?

    Problemet në kampet greke për refugjatë nuk janë të reja. Por zjarri në Moria ka hedhur një hije të rëndë mbi gjendjen e refugjatëve dhe tregon të gjitha dështimet e deritanishme evropiane në kampe.

    Si mund të zgjidhet kriza në Lesbos, pas zjarrit në kampin e refugjatëve në Moria? Athina dhe Brukseli po kërkojnë përgjigje.

    Greqia kërkon kampe të mbyllura

    Ministri grek për mbrojtje civile, Michalis Chrysochoidis, deklaroi të hënën se asnjë refugjat nuk mund të largohet nga kampi i refugjatëve në ishullin Lesbos. Së pari duhet të regjistrohen në kampin Kara Tepe dhe të testohen nëse janë të infektuar me virusin Corona. Më pas do të vendoset se ku mund të strehohen ata, a mund të kthehen prej nga kanë ardhur apo do të lejohet të shkojnë në ndonjë vend tjetër në brendësi të Greqisë.

    Shteti grek, siç tha ministri, nuk mund të lejojë të shantazhohet. Në Greqi mendohet se azilkërkuesit e kanë djegur qëllimisht kampin në Moria, për të detyruar autoritetet që t’u lejojnë atyre që të largohen nga Moria. Qeveria greke ka frikë se kjo mund të ndodhë edhe në kampet e tjera, në qoftë se tani fillon evakuimi i refugjatëve në Lesbos.

    Gjermania do të marrë një kontigjent të refugjatëve

    Gjermania ka vendosur të marrë një grup prej 150 refugjatësh minorenë si dhe 1500 refugjatë të tjerë nga Lesbosi dhe venstrehimet e tjera në Greqi. Qeveria greke pohon se kjo mund të ndodhë vetëm pas regjistrimit të refugjatëve dhe testimit me virusin Corona. Qeveria greke nuk ka kërkuar zyrtarisht ndihmë nga Gjermania. Rreth 400 refugjatë të moshës minorene janë dërguar ndërkohë në brendësi të Greqisë.

    Sa i madh do të jetë kampi Kara Tepe?

    Të dhënat për ndërtimin e një kampi të ri në Lesbos nuk mund të konfirmohen deri në fund. Ministri grek për migracion Notis Mitarachi thotë se brenda një jave do të ndërtohet një qendër për personat pa kulm mbi kokë, pra rreth 12000, sa janë vendosur për momentin nën tenda. Kapaciteti i kampit të mëparshëm ka qenë 5.000.

    Deri të hënën në mbrëmje janë rregulluar vendstrehimet për 800 persona. Migrantët njoftojnë se gjendja e furnizimit me gjërat elementare për jetë është e keqe. Mendohet se do të kalojnë javë e ndoshta edhe muaj deri sa të 12000 refugjatët të testohen nëse janë infektuar me virusin Corona.

    Mangësi të mëdha prej kohësh

    Organizimi i vendstrehimeve për refugjatët në Lesbos ka pasur probleme të mëdha prej kohësh. UNHCR dhe shumë organizata të tjera raportojnë për kushte “jonjerëzore” në kampe.  Moria kishte një kapacitet për 3.000 persona, ndërsa atje ishin strehuar 12.000 vetë.

    Procedura e azilit në Moria ishte parashikuar të zgjasë “vetëm disa javë” dhe më pas ata të kthehen në Turqi, prej nga kanë ardhur, që ishte pjesë e marrëveshjes me Turqinë. Personat që nuk kanë asnjë shans për azil është dashur të kthehen në vendlindje. Por asnjëra prej këtyre marrëveshjeve nuk ka funksionuar, që ka shkaktuar një grumbullim të rreth 40.000 azilkërkuesve në Greqi. Komisioni i BE bën të ditur se prej vitit 2016 – 2019 në Turqi janë kthyer vetëm rreth 2000 sirianë.

    BE vazhdon konsultimet, por vendime nuk ka

    Procedurat e azilit në Greqi zgjasin shpesh me muaj, e ndonjëherë edhe me vite. Procedurat në Lesbos janë stërzgjatur ndonëse atje janë vendosur edhe forcat “Frontex” dhe “EASO”, për të ndihmuar. Nëpunësit evropianë megjithatë nuk kanë të drejtë të vendosin. Kjo u takon nëpunësve grekë.

    Propozimi i Merkelit

    Deri tani nuk është i qartë qëndrimi i kancelares Merkel për kampet në Greqi. Merkeli dhe komisionerja Ursula von der Leyen deklaruan të hënën se në Lesbos duhet të ketë një kamp, i cili drejtohet nga Frontex dhe EASO, së bashku me autoritetet greke. Por diplomatët në Bruksel thonë se pikërisht kjo nuk ka funksionuar në të kaluarën.

    Komisioni i BE do të paraqesë të mërkurën në samitin e BE, propozimet e veta për zgjidhjen e situatës. Propozimet parashikojnë reformimin e sistemit të azilit në Evropë. Këto propozime parashikojnë edhe shpërndarjen e azilkërkuesve me të drejtë azili, por mbi bazën vullnetare. Ndërsa ministri i Brendshëm Horst Seehofer propozon një mbrojtje më të mirë të kufijëve të jashtëm të BE dhe që në Greqi të vendoset për kërkesat për azil, me qëllim që dëbimet të bëhen prej atje.

    Mbajtja e azilkërkuesve është kundër ligjit

    Gjykata Evropiane ka vendosur në majt të vitit 2020, në një proces për Hungarinë, se mbajtja e azilkërkuesve në kufijtë e jashtëm të BE është e mundur vetëm katër javë. Ndërsa futja e tyre në vendstrehime të mbyllura është në kundërshtim me ligjin, sepse i ngjan burgosjes. Nëse ky vendim do të luajë ndonjë rol edhe në Greqi dhe Lesbos, mbetet të shihet.

    Aktualisht në BE ekzistojnë rregullat sipas së cilave përgjigja ndaj kërkesave për azil duhet të jepet më së largu pas gjashtë muajve. Këtë rregull e kanë shkelur jo vetëm Greqia por edhe vendet tjera të BE. Tani vendet e BE duhet të vendosin se cilat vende duhet të vendosin në procedurën e azilkërkimit. Para shpërthimit të pandemisë Corona, Greqia planifikonte modernizimin e ligjeve. Por deri tani nuk ka kurrfarë rezultati në këtë drejtim.

    Burimi: DW

  • Takimi i 4 shtatorit në SHBA, deputeti i LDK-së: Në delegacionin e Kosovës njerëz pa eksperiencë

    Takimi i 4 shtatorit në SHBA, deputeti i LDK-së: Në delegacionin e Kosovës njerëz pa eksperiencë

    Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti ka mbërritur në Washingtonit, për të marrë pjesë në takimin e 4 shtatorit me palën serbe.

    Deputeti i LDK-së, Frashër Demaj, ka reaguar në lidhje me anëtarët e delegacionit përfaqësues ku thekson se  në delegacionin e Kosovës duhej të merrnin pjesë edhe partitë opozitare por edhe njerëz nga akademia.

    Është gabim i madh që partitë opozitare nuk janë bërë pjesë e këtij delegacioni. Do të duhej të përfaqësoheshim më mirë. Ka pas mundësi edhe brenda koalicionit për këtë. Për mendimin tim në prapavijë është dashur të jetë ndonjë personalitet nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Arsyeja e parë përvoja dhe ekspertiza profesionale, e dyta; lidhjet që mund t’i kenë pasë dhe e treta; eksperienca politike që ata kanë. Mosha mesatare në delegacion është e re. Nuk ka njerëz me eksperiencë aty”, është shprehur ai.

    Demaj në një prononcim për mediat ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti do të duhet që kur të vjen koha për arritjen e marrëveshjes të përcaktohet që në përbërje të delegacionit të ketë profesionistë.

    “Kryeministri Hoti dhe koalicioni qeverisës duhet të përcaktohet me njerëz profesionistë, njerëz me përvojë nga politike me të cilët do të ketë konsulenca atje që Kosova të përfaqësohet sa më mirë. Nëse bisedimet nuk sjellin njohjen reciproke atëherë këto bisedime nuk kanë kuptim”.

    Delegacioni i Hotit është me 8 persona (bashkë me Hotin):

    Ministri i Drejtësisë Selim Selimi (AAK)

    Ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj (AAK)

    Ministri i infrastrukturës Arban Abrashi (LDK)

    Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj (LDK)

    Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj Halimi (Nisma)

    Koordinatori për dialog Skënder Hyseni

    Shefja e kabinetit, njëherësh këshilltare e Hotit, Ardita Dushi.

  • Paga mesatare shqiptare dhe krahasimi me vendet e BE’s

    Paga mesatare shqiptare dhe krahasimi me vendet e BE’s

    Paga mesatare në Shqipëri,  aktualisht është rreth 430 euro, ndërsa është rritur me 3,3 për qind në krahasim me vitin e kaluar, sipas INSTAT.  Ky nivel pagash bazuar në të dhënat e Eurostat për të ardhurat për frymë, e vendos Shqipërinë ,ë paga ndër më të ulëtat në Europë, me 31% të mesatares europiane. Ndikim në këtë nivel të ulët ka informaliteti i lartë në tregun e punës në vend, dukuri që premtoi se do ta kishin prioritet këtë vit autoritetet fiskale, por që nuk ia kanë arritur dot.

    Vini re këtë grafik që raporton treguesit për frymë të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm.

    Edhe pse ky tregues tregon rritje nga viti në vit, ai tregon edhe arsyen e parë e diferencës së pagave me rajonin. Ekonomia jonë kaq prodhon dhe kjo matet me prodhimin e brendshëm bruto për banor. Në rajonin tonë, ne kemi prodhimin e brendshëm bruto për frymë të parafundit në Europë. Ky treg prodhon dhe më pak produkte dhe paga më të ulëta. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në Shqipëri ishte me vlerë 15.28 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2019, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore. Vlera e PBB-së së Shqipërisë përfaqëson 0.01 përqind të ekonomisë botërore. Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri u regjistrua për herë të fundit në 2019 në 5209.40 dollarë amerikanë. PBB për frymë në Shqipëri është e barabartë me 41 përqind të mesatares së botës.

    Shqipëria ka raportuar gjatë 2019, rritje të punësimit, që nuk ka nxitur prodhimin, por ka ulur më tej produktivitetin e punës në Shqipëri. Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare vuri në dukje se, vëllimet e produktivitetit të punës ndryshuan në Shqipëri dhe të gjithë rajonin me tendencë rënie.

    Në Shqipëri, punësimi u rit me shumë se rritja ekonomike, për pasojë të punësuarit ndaj më pak fitime nga puna gjatë vitit të kaluar. Në vendet e BE produktiviteti i punës në të gjitha vendet e BE-së është nxitur nga rritja më e lartë e PBB-së sesa në punësim.

    Produktiviteti i punës në Shqipëri llogaritet sa një e treta e mesatares së rajonit dhe një e pesta e vendeve më të zhvilluara të BE. Produktiviteti i punës në Shqipëri është më i ulët se 10 mijë euro në vit, krahasuar me 30 mijë euro në Ballkan dhe 50 mijë euro në 11 vendet më të zhvilluara të Evropës. Qoftë edhe vetëm ky tregues e shpjegon edhe debatin e fundit të padobieshëm lidhur me nivelin e pagave në Shqipëri.

    https://youtu.be/es1415JbvHY
  • Nga Spanja në Gjermani, Europa në alarm, i trembet “valës së dytë” të Covid, edhe më të përhapur

    Nga Spanja në Gjermani, Europa në alarm, i trembet “valës së dytë” të Covid, edhe më të përhapur

    Një rritje e rasteve të koronavirusit në Spanjë ka nxitur masa të reja mes frikës për një “valë të dytë”, edhe më të përhapur.

    Katalonja ka mbyllur jetën e natës për dy javë, por qytetet jashtë rajonit veri-lindor po shohin gjithashtu një rritje të rasteve.

    Franca, e cila ka parë gjithashtu rritje, ka lëshuar një paralajmërim për udhëtimet dhe Norvegjia po karantinon të ardhurit nga Spanja.

    Gjermania gjithashtu ka shënuar një rritje të infeksioneve, teksa shtetet luftojnë në “morsën” midis bllokimit të shpërthimeve të reja dhe rihapjes së ekonomive.

    Rritjet e rasteve me Covid19 në Evropë i bëjnë jehonë rritjeve shumë më të mëdha në pjesën tjetër të globit, me shifra rekord të infeksioneve të reja, prej rreth 280,000 në të dy ditët e fundit.

    “Ndërsa asnjë vend nuk është i paprekur, kjo rritje është shkaktuar nga transmetimi i lartë në vendet e mëdha dhe të populluara në Amerikë dhe Azinë e Jugut,” tha Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) në një deklaratë të shtunën.

    Ka pasur më shumë se 15.7 milion raste në nivel global dhe më shumë se 640,000 njerëz kanë humbur jetën, sipas Universitetit Johns Hopkins.

    Çfarë po ndodh në Spanjë?

    As një muaj pasi Spanja përfundoi gjendjen e jashtëzakonshme, disa qytete përfshirë Barcelona, ​​Zaragoza dhe kryeqyteti Madrid kanë parë një rritje të infeksioneve të reja, duke bërë që qeveria të paralajmërojë se një valë e dytë mund të jetë pranë.

    Qeveria e Katalonjës tani thotë se të gjitha klubet dhe baret e natës vonë në rajon do të mbyllen për dy javët e ardhshme.

    Ministria spanjolle e shëndetësisë raportoi më shumë se 900 raste të reja të virusit të premten. Një ekip futbolli në divizionin e dytë, Fuenlabrada, tani ka 28 raste të konfirmuara.

    Korrespondenti i BBC në Madrid, Guy Hedgecoe thotë se ngjitja e infeksionit midis të rinjve është një shqetësim i veçantë, pasi ata janë mbledhur gjatë kësaj kohe në klube nate.

    Epidemiologu Dr Daniel Lopez-Acuna i tha BBC se mosha mesatare e rasteve mund të rritet, “sepse transmetimi po shkon nga të rinjtë në pjesën tjetër të familjes, dhe sigurisht të moshuarit”.

    Franca ka paralajmëruar qytetarët e saj të mos udhëtojnë për në Katalonjë ndërsa Norvegjia ka thënë se do të fillojë të karantinojë ata që vijnë nga Spanja.

    Belgjika ka ndaluar udhëtimet në Huesca dhe Lleida, me rekomandime kundër udhëtimit në një numër zonash të tjera në Spanjë.

    A janë të shqetësuara vendet e tjera evropiane?

    Shumica po shohin rritje dhe shpërthime, por duan të ruajnë funksionimin e ekonomive dhe shpresojnë se çdo valë e dytë do të jetë e kufizuar dhe lokale. Belgjika ka ngadalësuar rihapjen për shkak të një rritjeje të fortë të rasteve të reja.

    Italia po izolon të ardhurit nga Rumania dhe Bullgaria për dy javë, pas një numri rastesh të importuara.

    Kryeministri francez Jean Castex thotë se njerëzit që vijnë nga 16 vende ku virusi po qarkullon gjerësisht do t’i nënshtrohet testeve të koronavirusit në vend.

    Ministria e Shëndetësisë në Francë tha që tani kishte më shumë se 1.000 raste të reja çdo ditë në spitale.

    Gjermania ka thënë se mund të vendosë testime të detyrueshme për pushuesit që kthehen nga destinacionet me rrezik të lartë, pasi infeksionet arritën një rekord për muajin e fundit.

    Si është rritja në nivel global?

    Trajektoria është ende shqetësuese, thotë OBSH – më shumë se 250 mijë raste të reja për tre ditë radhaz, deri të premten.

    Një shqetësim i madh është India, ku tani ka 1.3 milion raste të konfirmuara – 100,000 prej tyre vetëm në dy ditët e fundit – dhe ekspertët kanë frikë se më e keqja ende nuk ka ardhur.

    Një nga ata që kanë rezultuar pozitiv ishte kryeministri i shtetit të Madhya Pradesh, Shivraj Singh Chouhan, i cili u bëri thirrje njerëzve të mos jenë të shkujdesur.

    Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe Afrika e Jugut janë gjithashtu duke treguar rritje të mëdha. / BBC – Bota.al