Ambasadorja Amerikane Yuri Kim i është përgjigjur gazetarit Çim Peka, i cili deklaroi dje se kryedemokrati Lulzim Basha i kishte thënë prerazi diplomates, se është ai kryetari i opozitës. Gjatë ndërprerjes së takimit të Këshillit Politik, të thirrur nga Kim sot në rezidencën amerikane, duket se ambasadorja ka gjetur kohën e lirë për të lexuar mediat shqiptare.
Linku i shpërndarë nga Kim është ai i një portali shumë pranë qeverisë, i shigjetuar edhe si “media e Endri Fugës”, këshilltarit të kryeministrit Edi Rama.
Ndalur tek fakti që Basha i kishte kërkuar Kim, të mos e quante Luli por kryetari i opozitës, diplomatja shprehet: Kjo është nonsens. Ai më quan “Yuri” dhe unë e quaj atë Luli. Pse? Sepse ne jemi kolegë dhe miq.
Por çfarë tha gazetari Çim Peka dje?
This is nonsense. He calls me “Yuri” and I call him “Luli”. Why? Because we are colleagues and friends. https://t.co/Cpg71LxljN
— Ambassador Yuri Kim (@USAmbAlbania) June 3, 2020
Në Syri.tv, Peka ka zbardhur një bisedë telefonike të kryedemokratit Lulzim Basha dhe ambasadoren amerikane, Yuri Kim. Peka u shpreh se Basha kishte telefonuar Kim duke përdorur tone të ashpra, duke bërë që të ndryshojë edhe axhenda për takimin e sotëm të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Madje, sipas tij, biseda ka qenë me tone shumë të ashpra, dhe se Basha i ka thënë Kim: ‘Unë nuk jam Luli Basha por jam kryetari i opozitës, nëse vazhdoni të jenë në lojë me Ramën, vazhdoni me të’. A ka ndodhur vërtet kështu? Kim sqaron sot çështjen e komunikimit me Bashën, por jo pjesën tjetër të bisedës së zbardhur nga Peka.