BESARTA BASHA/ Pasditja e sotme shënon afatin e fundit për maturantët që i futen garës për të zënë një vend në universitet. Shumica e maturantëve kanë plotësuar formularin A2 dhe janë në pritje për rezultatin që vonon gati një muaj.
Ndërkohë, ata nuk kanë përse të rrinë në ankth kaq gjatë. Është koha që me laps e letër të përllogarisin vetë pikët që grumbullojnë (bazuar në formulat e universiteteve ku kanë aplikuar), për t’i krahasuar me listat e të regjistruarve të një viti më parë në raundin e parë.
Ndonëse formulat e degëve në fakultete pësojnë ndryshime të lehta vit pas viti dhe ofertë-kërkesa për një degë nuk është e njëjtë çdo vit, ashtu si edhe numri i maturantëve aplikues, sërish një krahasim i tillë për të përllogaritur shanset e të dalurit fitues, bën sens.
Gazeta pasqyron më poshtë universitetet kryesore, të cilat mbajnë edhe peshën kryesore të aplikimeve me A2: Universiteti i Tiranës, ai i Mjekësisë, Politekniku, Universiteti Bujqësor dhe ato në rrethe.
Në pritje të listës zyrtare që shpallet më 31 gusht, maturantët, tashmë kandidatë për studentë, hipotetikisht mund të përllogarisin nëse ID e tyre do të jetë në shtatë fazat e raundit të parë.
Mjaftojnë pesë të dhënat që i kanë tashmë, rezultatet e katër provimeve me detyrim e me zgjedhje, si dhe nota mesatare (si dhe rezultati në lëndë specifike, në varësi të degës që e kërkon) për të bërë kalkulimet e duhura.