Skënderbeu ka nisur lëvizjet e para në merkaton e verës, teksa nga Korça vjen edhe largimi i parë i rëndësishëm. Mësohet se rrugët e klubit bardhekuq dhe të sulmuesit Mario Beshiraj do të ndahen përfundimisht pas përfundimit të sezonit. Futbollisti 26-vjeçar, i cili iu bashkua Skënderbeut në merkaton e janarit, la gjurmë me paraqitjet e tij dhe u kthye në një nga protagonistët kryesorë në rrugëtimin e skuadrës drejt rikthimit në elitën e futbollit shqiptar.
Në 14 ndeshje të zhvilluara me fanellën bardhekuqe, Beshiraj realizoi gjashtë gola dhe dhuroi një asist, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në objektivin e klubit. Ndërkohë, sulmuesi ka nisur të shqyrtojë ofertat dhe të negociojë me skuadra të tjera për të vendosur të ardhmen e tij. Te Skënderbeu priten ndryshime të shumta gjatë verës, ndërsa trajneri Julian Ahmataj po punon për ndërtimin e një skuadre konkurruese që do të synojë objektiva madhorë në sezonin e ardhshëm. Grumbullimi i ekipit dhe nisja e përgatitjeve është planifikuar për ditët e fundit të muajit qershor.
1 comment
Comments are closed
Add Comment