Flamurtari pritet që të ruaj shumë pak elementë nga grupi që mbylli sezonin e fundit në Kategorinë e Parë në Vlorë. “Panorama Sport” zbulon se janë pesë futbollistët, të cilët janë në dëshirat e klubit. I pari që është rikonfirmuar tashmë edhe zyrtarisht, është Lorenc Trashi. 33-vjeçari erdhi nga kampionët e Kosovës, Ballkani, në Vlorë verën e kaluar, ndërsa më parë ka mbajtur shiritin e kapitenit te Partizani.
Ish-mbrojtësi i Kombëtares është rikonfirmuar dhe pas aventurës në Kategorinë e Parë, këtë vit do t’i rikthehet Superiores. Flamurtari do të mbajë edhe Denis Pjeshkën. Kapiteni është përshtatur mjaft mirë në Vlorë, teksa prej shumë vitesh po kontribuon, madje duke i qëndruar stoik Flamurtarit edhe kur “preku fundin”. Shkodrani erdhi në verën e vitit 2019 dhe, pas një viti, në sezonin 2020-2021, luajti për Teutën e Durrësit. Për t’u rikthyer në verën e atij viti dhe për 4 vite i ka qëndruar besnik Flamurtarit. Vlonjatët duan të mbajnë edhe Idriz Bathën. Mesfushori 33-vjeçar, për herë të parë me Flamurtarin luajti në sezonin 2018-2019. Në Vlorë u rikthye në janarin e vitit 2024.
Nga portierët, kuqezinjtë janë të vendosur që të mbajnë Ariol Kaloshin. Prej tri vitesh, portieri nga Lushnja është në Vlorë, ndërsa erdhi në qytetin bregdetar në vitin 2022. Në Flamurtarin e elitës, Kaloshi është projektuar si portieri i dytë i skuadrës vlonjate. Nga lojtarët e huaj që mbyllën sezonin në Vlorë, në plane për të rinovuar janë vetëm për Krist Evo Ememe. Sulmuesit 24-vjeçar i është ofruar rinovimi. Nigeriani erdhi në Vlorë në verën e shkuar, duke luajtur një sezon të plotë. Ememe ishte sugjerim i drejtorit të Milanit, Igli Tare. Kujtojmë se goli i Ememe në ndeshjen e fundit me Vorën, ishte vendimtar që Flamurtari të rikthehej pas pesë vitesh në Superiore.