Shqipëria do të presë nesër në mbrëmje në orën 20:45 Andorrën për të luajtur ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026-të. Deri më tani janë shitur 15 mijë bileta për të ndjekur nga afër Kombëtaren.
Edhe pse kuqezinjtë i nisën me humbje këto kualifikuese (0-2 kundër Anglisë), tifozët tanë janë shumë besnikë dhe do ta mbështesin nga tribunat e “Arena Kombëtare”.
Tifogrupi TKZ do të jetë sërish aty edhe pse pa bileta të parezervuara, por ende nuk ka akord me Federatën. Sonte pritet një takim mes kapitenit Gjimshiti dhe presidentit të FSHF, Armand Duka për të diskutuar mbi këtë çështje. Mbrojtësi po bën “negociatorin”.
Rikujtojmë që sot te Shqipëria trajneri Silvinjo së bashku me një lojtar do të dalin në konferencën për mediat në orën 16:45 dhe më pas do të kryejnë një seancë stërvitore.
HUMBJA NDAJ ANGLISË
Humbja me Anglinë ishte e parashikueshme deri diku, por tani me Andorrën nuk lejohen gabimet. Sylvinho e ka të qartë, ndaj e ktheu Kombëtaren shqiptare në fushë menjëherë pas ndeshjes me Anglinë, të luajtur dy netë më parë në stadiumin Wembley. Kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore në stadiumin “The Hive” të Londrës, që ka zgjatur pak më shumë se 60 minuta. Lojtarët të cilët nuk u aktivizuan dhe ata që luajtën si zëvendësues kanë zhvilluar stërvitje me ngarkesë të plotë, ndërsa titullarët kanë punuar vetëm në palestër. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se portieri Thomas Strakosha, i cili u zëvendësua gjatë ndeshjes me Anglinë për shkak të një goditjeje që mori gjatë lojës, është duke u mbajtur nën monitorimin e vazhdueshëm nga stafi mjekësor kuqezi.