I ndodhur në Vlorë në një komunikim me gazetarët, Presidenti Meta ka komentuar edhe rastin më të fundit, atë të çarjes e shembjes së një pjese të rrugës në Borsh, pas reshjeve të ditëve të fundit.
I pari i shtetit e drejtoi gishtin nga qeveria, veçanërisht te Kryeministri, i cili sipas Metës, zgjedh të puthë në ballë pronarin e kompanisë përgjegjëse për rikonstruksionin e kësaj rruge. “Kështu është kur ai që në vend t’i kërkojë llogari, i puth në ballë ata që në vend t’i bëjnë rrugët siç duhet, i bëjnë ashtu siç i nxjerr shiu. Uroj të mos keni më përmbytje këtu në Vlorë”, u shpreh Meta.
Kreu i shtetit tha se është me fat që nuk ndodhej në Vlorë gjatë përmbytjes së madhe, ndërsa shton se Kryeministri shkoi në qytetin bregdetar pasi doli dielli. “Jam me fat që nuk isha në Vlorë në kohën që ndodhi përmbytja e madhe, se as kamerdarja s’do të më bënte derman mua dhe faleminderit Zotit që keni shpëtuar të gjithë ju. Për sa i takon Kryeministrit, ai sigurisht që do të vinte në Vlorë pasi të dilte dielli”, u shpreh kreu i shtetit.
Tri ditë më parë Edi Rama do të deklaronte: “Sa i përket Presidentit Meta, Presidenti Meta është në hall, s’kam asgjë për t’i thënë, është në kërkim të një kamerdareje e kudo ku sheh ujë, shkon për të gjetur kamerdaren, kështu që nuk e ndihmoj dot, unë atë”.
Burimi: Panorama.al