Krimi Kibernetik në DVP Tiranë ka parandaluar një ngjarje e rëndë kriminale të ngacmimit seksual në rrjete sociale të një të miture 15 vjeçe që mund të sillte pasoja të rënda.
Policia arrestoi një shtetas dhe zbuloi 2 ngjarje të vjetra.
Policia tha se pas kallëzimit të bërë nga një e mitur 15-vjeçare, se një shtetas i kishte hapur profile false në rrjete sociale dhe e shantazhonte për t’i dërguar foto/video intime, si dhe për të kryer marrëdhënie seksuale me të, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat, pas një hetimi shumë të shpejtë dinamik dhe të mirëfilltë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Intimiduesi”, në bashkëpunim dhe me Komisariatin e Policisë Nr. 5, u ndalua shtetasi B. Ç., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, i ka hapur profile false, një 15 vjeçareje, në rrjete sociale, e shantazhonte për t’i dërguar foto/video intime dhe për të kryer marrëdhënie seksuale me të.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera, janë dokumentuar dy ngjarje të tjera të kësaj natyre kriminale, me autor të dyshuar 27-vjeçarin dhe dy të dëmtuara 15 dhe 16 vjeçe.