Një sasi prej rreth 30 kg marijuanë në formë çokollate është sekuestruar në Durrës. Sipas policisë, lënda narkotike ishte e ndarë në 77 pako, ndërsa në pranga u vu poseduesi i drogës dhe bashkëpunëtori i tij.
Kështu në kuadër të operacionit policor të koduar “Kritikal“, u arrestua shtetasi E.B 42 vjeç nga Tirana dhe bashkëpunëtori i tij shtetasin me iniciale E.B.
Po ashtu policia sekuestroi edhe 3600 euro, 2 automjete dhe 6 aparate celularë.
“Shërbimet e Policisë, pas marrjes së informacionit, kanë ndaluar në vendin e quajtur “Mbikalimi i Plepave”, mjetin tip “Porsche”, me drejtues shtetasin E. B. Gjatë kontrollit në bagazhin e këtij mjeti u konstatuan 77 pako me lëndë narkotike të dyshuar marijuanë në formë çokollate, me peshë 30.640 kg.
Gjithashtu, në momentin e kapjes në flagrancë të shtetasit E. B., shërbimet kanë ndjekur dhe kanë ndaluar mjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin F. C., i cili gjatë hetimeve ka rezultuar se ka bashkëpunuar me shtetasin E. B., duke e informuar atë për prezencën e shërbimeve të Policisë në rrugë.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë edhe shtetasi F. C., 41 vjeç, banues në Tiranë”, sqaron policia.
Nga hetimet ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike të kapur nuk është prodhuar në Shqipëri, por është trafikuar nga një vend tjetër.
Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Burimi: Panorama.al