Gazetarja Anila Hoxha ka treguar detaje në reja në lidhje me tregun e drogës në Shqipëri gjatë viteve të fundit.
Hoxha tregoi se tashmë përdorues në Shqipëri regjistrohen edhe fëmijët e moshës 10 vjeç.
Gazetarja tregoi se zonat që përhapet dhe shitet më shumë droga gjatë sezonit të verës është në vendet turistike dhe bregdetare.
“Nëse flasim se kush përdor më shumë drogë tani në sezonin e verës, bazuar në të dhënat e Anti-drogës, më tepër drogë përdoret aktualisht në vendet turistike dhe bregdetare. Në Durrës, në qytetin e Vlorës, në Dhërmi dhe Sarandë, ky treg iu ofron turistëve kryesisht kokainë dhe ekstazi”, tha Anila Hoxha për Top Talk.
Mafia shqiptare në Spanjë ka arritur të marrë nën kontroll një pjesë të madhe të tregut të marijuanës. Fillimisht ishte heroina, ndërsa tani edhe kokaina.
Mediat spanjolle shkruajnë se mafia shqiptare zbarkoi në Spanjë në vitet 1990. Kur mbërritën u bënë të njohur kryesisht për trafikim njerëzish dhe heroinë.
“Me kalimin e viteve, këto organizata të rrezikshme kriminale – ku përfshihen qytetarë të Shqipërisë dhe Kosovës – janë rritur në mënyrë eksponenciale, duke u bërë mbretërit e trafikut të drogës në vendin tonë dhe në pjesë të tjera të planetit si në Mbretërinë e Bashkuar apo Ekuator”, shkruajnë mediat spanjolle.
Shqiptarët i kanë fokusuar burimet e tyre tek marijuana duke ngritur makro plantacione në të gjitha cepat e Spanjës, por veçanërisht në bregun lindor dhe në Katalonjë.
“Deri më tani, klanet shqiptare të pranishme në Spanjë kanë vepruar shumë më diskrete në krahasim me mafiozët e tjerë ndërkombëtarë. Ata që janë të përkushtuar ndaj trafikut të drogës mbajnë një profil të ulët, pa e turpëruar veten për të kryer krime publike. Edhe pse janë shumë të dhunshëm, zakonisht nuk e shfaqin në publik. Në këtë mënyrë, ata mund të kalojnë pa u vënë re për të vazhduar prodhimin e marijuanës në një shkallë të gjerë dhe më pas ta prezantojnë atë në Evropë”
Dy të rinj shqiptarë në zotërim të 800 mijë eurove, të ndara në pako, janë arrestuar nga policia italiane në Rozzano, provinca e Milanos.
Arrestimi i dy shqiptarëve, 29 e 19 vjeç, është bërë që të enjten, por njoftimi u dha vetëm sot.
Ata ishin gjurmuar nga agjentët në kuadrin e një hetimi anti-drogë, pasi u vunë re teksa dilnin nga një apartament në Rozzano, i cili survejohej për shkak se dyshohej si bazë logjistike e një bande të trafikut të drogës.
Pas ndalimit, të rinjtë nuk ishin në gjendje të justifikonin origjinën e parave, të cilat, sipas agjentëve, mund të jenë pagesë për ndonjë ngarkesë droge që ka kaluar dorë pas dore, ose ndoshta ata mund të jenë ‘llogaritarët’ që merren me mbledhjen dhe shpërndarjen e parave për llogari të bandës.
Paratë ishin fshehur në çantën e palestrës nga dy të rinjtë shqiptarë.
Tre persona, dy prej të cilëve babë e bir, subjektë të OFL-së janë vënë në pranga me vendim të Gjykatës së Korçës, gjatë operacionit të koduar “Finish”.
Gjykata e Korçës kishte vendosur “Arrest me burg” për ish-kryeplakun e Podgories, Arben Pilinçi, djalin e tij Orlind Pilinçi, si dhe shtetasin Erald Muçelli, nga fshati Vreshtas.
Këta shtetas kanë qenë në përgjim dhe nën hetim nga Prokuroria në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Korçë. Arrestimi i tyre lidhet me operacionin e datës 4 qershor 2020 në Elbasan, ku u kapën 28.5 kg lëndë narkotike kanabis dhe u arrestuan 3 shtetas, Teodor Beba, Ildi Dushku dhe Ylli Spaho.
Pas hetimit, gjatë gjithë kësaj kohe, përveç 3 shtetasve të mësipërm u ndaluan edhe 3 të tjerë, të cilët ishin pjesë e transportit të drogës. Pjesa më e madhe e tyre janë të njohur për Policinë, me precedentë të mëparshëm penalë. Policia thotë se gjatë tri fazave që ka kaluar operacioni i koduar “Finish”, janë arrestuar 12 shtetas si dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë.
Policia bën me dije se të arrestuarit janë: Arben Pilinçi, Olrind Pilinçi, Eraldo Muçelli, Kundret Hasbashaj, Ildi Dushku, Ylli Spaho, Gëzuim Greku, Redion Marra, Eltjon Mersala dhe Petrit Shkrela.
Dyshohet se këta shtetas janë marrë me kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. “Në kuadër të tri fazave të operacionit është goditur një grup i strukturuar kriminal, i cili ushtronte aktivitetin e paligjshëm të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në qarqet Korçë dhe Fier.
Në të tria fazat e operacionit janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 12 shtetas. Gjatë fazës së tretë dhe përfundimtare të këtij operacioni janë ndaluar 4 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë. Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në total 32,5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis”, tha zyrtarisht Policia e Korçës.
Nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Elbasan, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Fier dhe Elbasan, u përmbyll faza e tretë dhe përfundimtare e operacionit policor të koduar “Finish”, në kuadër të të cilit është bërë e mundur goditja e një grupi kriminal me aktivitet në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, në qarqet Korçë dhe Fier.
Pas një hetimi dinamik prej një viti, në kuadër të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në fazën e fundit të operacionit, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë bënë ekzekutimin e masave të sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, për 4 shtetas të arrestuar e 2 të shpallur në kërkim.
Një sasi prej rreth 30 kg marijuanë në formë çokollate është sekuestruar në Durrës. Sipas policisë, lënda narkotike ishte e ndarë në 77 pako, ndërsa në pranga u vu poseduesi i drogës dhe bashkëpunëtori i tij.
Kështu në kuadër të operacionit policor të koduar “Kritikal“, u arrestua shtetasi E.B 42 vjeç nga Tirana dhe bashkëpunëtori i tij shtetasin me iniciale E.B.
Po ashtu policia sekuestroi edhe 3600 euro, 2 automjete dhe 6 aparate celularë.
“Shërbimet e Policisë, pas marrjes së informacionit, kanë ndaluar në vendin e quajtur “Mbikalimi i Plepave”, mjetin tip “Porsche”, me drejtues shtetasin E. B. Gjatë kontrollit në bagazhin e këtij mjeti u konstatuan 77 pako me lëndë narkotike të dyshuar marijuanë në formë çokollate, me peshë 30.640 kg.
Gjithashtu, në momentin e kapjes në flagrancë të shtetasit E. B., shërbimet kanë ndjekur dhe kanë ndaluar mjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin F. C., i cili gjatë hetimeve ka rezultuar se ka bashkëpunuar me shtetasin E. B., duke e informuar atë për prezencën e shërbimeve të Policisë në rrugë.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë edhe shtetasi F. C., 41 vjeç, banues në Tiranë”, sqaron policia.
Nga hetimet ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike të kapur nuk është prodhuar në Shqipëri, por është trafikuar nga një vend tjetër.
Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Policia greke tha të shtunën se zbuloi sasi të mëdha marijuane të presuar të fshehur në trungjet e pemëve në kufirin greko – shqiptar, në zonën e Thesprotisë.
Sipas policisë greke rreth 170 kilogramë marijuanë, ishin futur në 6 çanta udhëtimi që u gjetën në trungjet e pemëve dhe ruheshin në distancë nga një shtetas shqiptar, tashmë i arrestuar.
Policia greke tha se në të njëjtin vend u gjendën edhe materiale paketimi, dylbi për shikimin në terren, ushqime etj, të cilat flasin se zona përdorej si një bazë për grumbulimin e marijuanës që hynte nga Shqipëria për ta transportuar më pas në thellësi të Greqisë.
Kjo metodë përdoret nga trafikantë e lëndëve narkotike, të cilët, sipas hetimeve policore në të dy vendet, transferojnë me korrierë të vegjël drogën në kufi dhe më pas krijojnë baza në zonat kufitare greke ku magazinojnë sasitë e narkotikëve. Më pas ato transportohen me mjete të ndryshme transporti për në thellësi të territorit grek.
Greqia është destinacioni i dytë i marijuanës që kultivohet në Shqipëri pas Italisë. Kufiri jugor shqiptar me Greqinë është në shënjestrën e trafikantëve të drogës dhe pas mbylljes së disa prej pikave kufitare trafikantët shfrytëzojnë kufirin e gjelbër për të transportuar drejt Greqisë lëndën narkotike.
Shqipëria dhe Greqia nënshkruan fillimin e këtij viti një marrëveshje për funksionimin në Kakavijë të një qendre të përbashkët policore dhe doganore për të luftuar format e krimit ndërkufitar. Marrëveshja parashikon vendosjen e një trupe të përbashkët policore dhe doganore në mjediset e Qendrës në anën greke të pikës së Kakavijëst.
Sipas marrëveshjes së përbashkët policia greke dhe ajo shqiptare do të realizojnë bashkarisht shkëmbimin dhe analizën e informacioneve që lidhen me forma të ndryshme të krimit në kufijtë e të dy vendeve, përfshirë trafikun e drogës.
Policia e Shkodrës ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar rreth 4000 fara kanabis dhe 140 doza me lëndë narkotike.
“Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirë organizuar, u bë i mundur finalizimi i operacionit “Gruda” ku u arrestuan shtetasit: J. M., 43 vjeç dhe K. K. , 25 vjeç, të dy banues në fshatin Grude e Re, Shkodër”.
Këta shtetas, sipas bluve, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, “nëpërmjet lidhjeve të tyre jashtë vendit, kishin siguruar 4000 fara të bimës narkotike cannabis sativa, të cilat do t’i shisnin kundrejt pagesës 16.000 euro”.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre, në ambientet e një lokali në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një qese me fara të bimës kanabis sativa dhe një qese me lëndë narkotike kanabis sativa.
Në banesën e shtetasit K. K., u gjetën dhe dy qese me lëndë kanabis sativa dhe një sasi farash të bimës kanabis sativa.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar në total rreth 4000 fara cannabis sativa dhe 140 doza lëndë narkotike cannabis sativa.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.
Policia e Tiranës thotë se në orët e fundit janë arrestuar 7 persona për vepra të ndryshme penale.
Forcat e posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditën një tjetër rast. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J. Sh., 29 vjeç, pasi në rrugën “Kujtim Laro”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin ky shtetas qarkullonte u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. D., 19 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A. G., 18 vjeç dhe A. L., 24 vjeç, pasi janë kapur në flagrancë duke vjedhur në një qendër tregtare.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
P. N., 56 vjeç, pasi u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; E. A., 25 vjeç dhe D. M., 55 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Policia spanjolle ka arritur të “thyej” grupin e organizuar kriminal nga Rusia, që ishin të përfshirë në korrupsion dhe shpëlarje parash në Spanjë.
Grupi i madh kriminal ishte përfshirë edhe në aktivitete tjera kriminale, përfshirë vrasje, tregti me lëndë narkotike, me armë dhe njerëz dhe që ishte aktive në mbarë Evropën, Amerikën e Jugut dhe SHBA-të, ka bërë të ditur Europoli, transmeton Telegrafi.
Ky operacion filloi në vitin 2013 që e ndihmoi Europoli dhe që konsiderohet si operacioni më i madh, që kishte filluar kundër një grupi të organizuar kriminal në Spanjë.
Në aksionin policor janë arrestuar 23 persona, kurse në 18 objekte janë kryer bastisje me c ‘rast janë konfiskuar dhjetëra armë, 16 vetura luksoze, diamante që kapin vlerën e 300 mijë euro si dhe 35 mijë dollarë (para të thata), duke ua bllokuar kështu edhe llogaritë bankare si dhe sekuestruan prona në vlerë prej miliona eurove.
Europoli ka bërë të ditur se ky grup i madh kriminal kishte arritur të infiltrohet në institucione të ndryshme publike të Spanjës, duke kryer kinse aktivitete të ndryshme humanitare.
Më poshtë janë publikuar pamjet e momentit kur policia spanjolle e asistuar me logjistikë nga Europoli, futet në një vilë luksoze të këtij grupi kriminal brenda të cilës gjeti prova të mjaftueshme për t’i çuar prapa grilave.
Tre të dënuar nga Tirana, Elbasani e Bulqiza morën sot njoftimin nga Operacioni Forca e Ligjit, se duhet të deklarojnë burimet e pasurisë.
“Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve Aleksandër Kuqja, Haxhi Përkoxha, Vasil (Vladimir) Bajraktari.
Aleksandër Kuqja, banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;
Haxhi Përkoxha, banues në Bulqizë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”;
Vasil (Vladimir) Bajraktari, banues në Tiranë, i dënuar në Itali për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” në rrethana rënduese, i kryer në bashkëpunim.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.