Seanca e djeshme plenare ka sjellë përplasje mes vetë deputetëve të Partisë Demokratike lidhur me listën e diskutantëve që do të mbanin fjalën në Kuvend. Përplasja ka ardhur sepse sërish mbështetësit e Sali Berishës janë futur në listën e diskutantëve jashtë grupeve parlamentare me minutash të shkurtuar. Kjo ka bërë që deputetët e Berishës të ngrenë zërin në Kuvend dhe të përplasen me kolegun e tyre, Enkelejd Alibeaj, kjo pasi ky i fundit është përfaqësues zyrtar i PD dhe ka pjesën e luanit në Konferencën e Kryetarëve, të cilët caktojnë rendin dhe çështjet që do të shqyrtohen në seancë plenarë. Por po ashtu, “gjakrat” janë ndezur në momentin kur fjalën e mori Flamur Noka, i cili pretendoi se Kuvendi e kishte nxjerrur nga grupi parlamentar i demokratëve, duke paralajmëruar kryeparlamentaren Lindita Nikollën se do ta padiste në Gjykatë Kushtetuese. Mirëpo teksa Noka përballej me Nikollën, nisi dhe një përplasje mes Enkelejd Alibeajt dhe Tritan Shehut. Ky i fundit hodhi akuza ndaj Alibeajt. Ai ka falsifikuar dokumentet”, deklaroi Shehu. Por i ashpër ishte reagimi i Alibeajt, i cili e cilësoi deputetin Shehu legen. “Je legen, je kokrra e legenit. Se të vij atje dhe ta tregoj. Ta tregoj unë legen. Ta tregoj dhe ta mësosh mirë. Ta tregoj unë thashë. Legen”, u shpreh Alibeaj. Ndërkohë në këto momente ndërhyri deputeti demokrat, Flamur Noka, i cili tentoi që të shuante gjakrat, duke i kërkuar Alibeajt që të kthehej para dhe të mos i provokonte. “Kthehu para”, u shpreh Noka. Mirëpo, Alibeaj nuk u zmbraps dhe madje e cilësoi legen edhe Nokën. “Mos mu drejto mua ashtu. Shiko këtu tek unë. Hë mos ma bëj dorën ashtu, se vij ta tregoj ty edhe atij tjetrit. Legen”, replikoi Alibeaj.
Baçi debate me Bardhin dhe Alibeajn
Por debati nuk u ndal me aq, edhe pse Nikolla tentoi që të vijonte me seancën plenare. Deputeti i “Foltores”, Luan Baçi së bashku me disa nga kolegët e tij, mbështetës të Berishës, u ngritën duke bllokuar foltoren. E gjitha nisi në shenjë revolte për shkak të heqjes së tyre nga lista e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Mirëpo, në një moment, Baçi niset drejt vendit të deputetit Gazment Bardhi, i cili ishte duke iu kundërvënë, ndërsa tentoi të konfliktohej fizikisht. Më pas, ai i drejtohet Alibeajt, duke i thënë se i shërben Ramës. Pas kësaj përplasje, kryetarja e Kuvendit kërkoi 10 minuta pushim.
Noka bllokon foltoren dhe ndëshkohet
Mirëpo edhe me fillimin e seancës plenare, deputeti demokrat, Flamur Noka nuk ka pranuar të lirojë foltoren e Kuvendit, duke i kërkuar kryeparlamentares, Lindita Nikolla që t’i jepte vendimin ku ishte vendosur përjashtimi i tij nga grupi parlamentar i Partisë Demorkatike. Në të kundërt, Noka tha se do të bënte denoncim ndaj Nikollës. “Ti zonjë atje je ulur për të respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren. Na kanë zgjedhur demokratët dhe asnjë nga rilindja që ti paske të drejtë të rrotullosh lapsin si të duash. Na e gjej vendimin ku ne jemi shpallur armiq dhe se këta deputetë janë deputetë miq të Edi Ramës. Nuk ka vendim thotë kryetari i grupit tuaj. Ti do shkosh e para për ndjekje penale për shkelje të kushtetutës dhe rregullores”, u shpreh Noka. Ndërkohë Nikolla i kujtoi deputetit Noka se është përjashtuar nga grupi parlamentar i PD qysh para 1 viti. “Nëse ju duhet vendimi i grupit parlamentar, unë ua vë sërish në dispozicion edhe pse njëherë e keni marrë. Nuk është detyra ime të njoh rregulloren tuaj të brendshme por e juaja ta njihni rregulloren e grupit tuaj paralementar që iu ka përjashtuar. Ju gjatë një viti keni vepruar në të njëjtën status quo. Vendimin e grupit e keni në dispozicion. Nuk ju fus unë dot në grup, kur grupi nuk të do”, deklaroi Nikolla, e cila mori vendim dhe e përjashtoi Flamur Nokën. “Është turp për këdo që ju shikon. Merret masa e përjashtimit për Flamur Nokën nga seanca plenare, pasi po zaptoni Foltoren”, nënvizoi Nikolla.
Deputeti i Berishës sulmon Nikollën
Pas përjashtim të Flamur Nokës, deputetët e “Foltores” bojkotuan seancën plenare, dukje u solidarizuar me kolegun e tyre. Ndërkohë Noka ka publikuar edhe një video në rrjetet sociale nga Kuvendi, teksa shihet kryetarja Lindita Nikolla duke folur në telefon. Noka dyshon se ajo po flet me kryeministrin Edi Rama dhe sipas tij, e njoftoi për përjashtimin që po i bën atij vet. Megjithatë në video dëgjohet qartë se kryetarja e Kuvendit shprehet: “Po moj”, duke nënkuptuar se personi me të cilin po flet mund të jetë femër.