Gjatë një puntate të emisionit ‘Opinion’, ku ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj u shfaq me një mal me shkresa për të mbrojtur aferën e inceneratorë, pati disa pasazhe sa qesharake aq edhe serioze që tregojnë shumë.
Në një moment të emisionit, pasi Ahmetaj ka pranuar se në aksidentin e Kumanovës ka qenë në makinë me bashkëshortët Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja, gazetari Mentor Kikia e pyeti: Si i ke i njohur këta që i ke pasur miq edhe përpara se të merrnin PPP-të e inceneratorëve?!
Përgjigjja e Ahmetajt ishte: Ore Mentor po pse bën kështu, shko takoji, pi një kafe dhe fol!
Edhe më vonë kur moderator Fevziu bëri të njëjtën pyetje, por duke përfshirë edhe protagonistin e tretë të aferës së inceneratorëve Klodian Zoton, mori të njëjtën përgjigje: O Blendo po ik takoji vetë, pi një kafe dhe fol…
Pra sugjerimi i Ahmetaj për gazetarët që duan të dinë diçka më shumë për treshen misterioze të industrisë së djegies së mbetjeve me vlerë 430 milion euro nga buxheti i shtetit është: “paraqituni se ju sqarojnë ata vetë me `kafe`”.
Në fakt askush nuk pret që Gugallja, Mërtiri dhe Zoto të jenë të gatshëm që të shpjegojnë dhe tregojë lidhjet “specifike” që kanë me Ahemtajn, Edi Ramën, Lefter Kokën dhe Erion Veliajn.
Por këta të fundit si zyrtarë të lartë të shtetit që iu kanë dorëzuar në mënyrën më mafioze atyre, gati gjysmë miliard euro të taksapaguesve shqiptarë, e kanë për detyrë që të sqarojnë mediat dhe publikun.
Gjithsesi mediat dhe posaçërisht BIRN gjatë kohës që bëri investigimin e bujshëm për këtë aferë gjigante, tentoi disa herë që të lidhej me Stela Gugalla e ta pyeste për denoncimet, lidhjet dhe akuzat që po i bëhen.
Por ajo së bashku me Mërtirin dhe Zoton, edhe për media të tjera kanë qenë sistematikisht të padisponueshëm.
Kjo “omertë” vazhdoi deri sa Lulzim Basha tregoi se ata që Gugallja i ka mbi kokë, po i bëjnë presion që nëse thirret nga SPAK, të heshtë. Deklarata dhe paralajmërimi ishte:
“Prej më shumë se një jave i kërkoj SPAK-ut të nisë hetimet për aferën e mafias së inceneratorëve. Një nga personat kyç për hetimin e inceneratorëve, është vënë nën presion nga mafia. Mafia e plehrave, presion mbi një prej personave kyç në skemën mafioze të inceneratorëve, Stela Gugallja. Nëse përgjegjësit e kësaj afere arratisen, përgjegjësia është e SPAK-ut. Paralajmëroj SPAK-un se nëse ndonjë prej të dyshuarve kryesorë në aferën e plehrave largohet, do të jetë përgjegjësia e SPAK”
Pra Basha paralajmëroi se pronarët dhe përfituesit e vërtetë që fshihen pas emrit të Stela Gugallës në aferën e inceneratorëve, nga frika e një hetimi serioz të SPAK po e mbajnë nën presion atë, për të qepur gojën.
Kaq mjaftoi që gruaja që u bë administratore e “Albtek-Energy” (e cila kontrollon PPP-të e inceneratorëve), kur ishte vetëm 23 vjeç; pikërisht ajo që nuk kishte denjuar të fliste kurrë publikisht, edhe pse akuzat dhe denoncimet kanë qenë flagrante, këtë të martë e “nxori kokën në media”.
Deri dje mbrojtjen e pronarëve me letra të inceneratorëve e kishte marrë përsipër Ahmetaj dhe vetë Edi Rama, me gjithë enturazhin e tij politik e mediatik.
Mjaftoi deklarata e fortë e kreut të PD-së Lulzim Bashan në konferencën e fundit me gazetarët, që Gugallja (të cilës nuk i gjen dot as fotografi në internet), të kërcejë në media dhe madje të sulmojë denoncuesit e saj.
Duket se po këta pronarë realë të parave që përfitohen nga kjo aferë qindra-milionëshe në euro të cilët deri më tani nuk e kishin lejuar Gugalljan që të fliste me gazetarët (Të pijë `kafe` po), e urdhëruan që pas alarmit të Bashës, të dilte urgjentisht në media për të thënë se nuk po i bënte askush presion. Film i parë ky sa herë që mafies i duhet që të zbatojë kodin e heshtjes, Omerta.
Por çfarë tha Stela, pa shfaqur sigurisht fytyrën, së cilës i ka shkuar “çmimi” 430 milion euro?!
“Nuk jam dhe nuk ndihem për asnjë moment e kërcënuar apo e shantazhuar nga askush. Në jetën e biznesit dhe jashtë saj nuk jam përfshirë në asnjë veprimtari të paligjshme që të më bëjë objekt shantazhi apo kërcënimi. I vetmi që më ka vënë nën presion dhe më shantazhon është zoti Lulëzim Basha dhe njerëz rreth tij. Prej kohësh jam vënë nën sulme politike nga Partia Demokratike, në të cilën unë dhe familja ime kemi aderuar si anëtarë që në lindjen e saj, duke e mbështetur prej viteve 90”.
Pra sulmoi Bashën dhe PD-në, mbrohet me fisin `demokrat`, se po i bienë në qafë “të vetët”…
Asnjë fjalë se si u gjend ajo 23-vjeçare që brenda 24 orëve mori 23 milion euro pa kryer asnjë punë, në krye të një PPP-je që po rezulton një nga aferat më të mëdha në rajon dhe më gjerë!
Se si ia doli Stela “e vogël” që brenda një dite të rreshtonte për të firmosur, gjithë qeverinë Rama në 16 dhjetor të vitit 2014. Që kompania e saj me buxhet 100 mijë lekë të fitonte PPP e majme për inceneratorin e Elbasanit, etj, etj.
Por ndoshta, s`kemi pse e fajësojmë. Ndoshta nuk po e bën në media transparencën e historisë së 430 milion eurove, sepse po përgatitet që të rrëfehet në SPAK, nëse duan ata gjithmonë.
E aty nuk besojmë se do ta pyesin, se në çfarë viti i është anëtarësuar babai në Partinë Demokratike!