Pak më shumë se 2 orë ka zgjatur mbledhja e parë e Këshillit Politik pas pushimeve verore.
Por me gjithë shkëputjen 6-javore të punimeve, përplasjet dhe ndasitë mes palëve ishin pak a shumë në të njëjtat pika. Koalicionet parazgjedhore, formula e shpërndarjes së mandateve, si dhe hapja e listave deri në masën 100 për qind ishin tre çështjet, për të cilat palët u futën dhe dolën me qëndrime të kundërta nag mbledhja e djeshme e Këshillit Politik.
KOALICIONET
Opozita e Bashkuar para se të shkonte në mbledhjen e orës 18:00 shpërndau një deklaratë për mediet, ku shprehte qëndrimin e saj se koalicionet parazgjedhore nuk duhet të cenohen. Sipas dokumentit të shpërndarë nga opozita koalicionet parazgjedhore kanë mbetur të pandryshuar për më shumë se 17 vite dhe kanë mbetur të paprekura dhe pandikuara as nga ndërhyrjet që i janë bërë disa herë sistemeve zgjedhore. Por ky qëndrim që përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili mbrojtën në takimin prej dy orësh, nuk ishte i pranueshëm për maxhorëncën. Nga diskutimet e bëra në mbledhje, Gjiknuri iu ka lënë afat përfaqësuesve të opozitës deri të premten e ardhshme, për të sjellë draftin me propozimet e tyre për ndërhyrjet në Kodin Zgjedhore për të përshtatur ndryshimet që iu bënë Kushtetutës në 30 korrik. Gjiknuri i ka kërkuar përfaqësuesve të opozitës propozimet e tyre në lidhje me: Pragun kombëtar zgjedhor; afatet e paraqitjes së listës unike nga aleancat; si do kryhet aspekti procedural i votimit për kandidatet në kushtet e listave të hapura duke ruajtur kuotat gjinore.
MANDATET
Në ndërkohë edhe për çështjen e shpërndarjes së mandateve palët kanë qëndruar stoik në pozicionet e tyre. Sipas përfaqësuesve të maxhorancës, ndryshimet kushtetuese, por edhe ndryshimi i pragut zgjedhor kërkon edhe një ndërhyrje në formulën e shpërndarjes së mandateve të deputetëve. Sakaq për opozitën kjo gjë është e papranueshme dhe se nuk ka asnjë nevojë për të ndërhyrë në mënyrën se si shpërndahen mandatet.
HAPJA E LISTAVE
Për çështjen e hapjes së listave, qëndrimi i palëve në këtë mbledhje të parë të Petrit Vasili Këshillit Politik ishte për sa i përket përqindjes. Për maxhorancën hapja e listave do duhet të garantojë një përqindje të caktuar, që mbron përfaqësimin gjinor, për të mos rrezikuar kuotën 30% të grave që duhet të jenë në Parlament. Ndërsa opozita i qëndroi mendimit të saj të shpallur në dokumentin e shpallur dje në mesditë, duke kërkuar hapjen e listave në masën 100 për qind. Palët u përplasën me qëndrimet e tyre në këtë mbledhje të parë edhe sa i përket referimit për një opinion OSBE/ODIHR. Përfaqësuesit e PD dhe LSI kërkuan që të merret mendimi i OSBE për çështjen e koalicioneve parazgjedhore, ndërsa nga ana e opozitës u kërkua që në këtë organ ndërkombëtar mund të shkohet vetëm me një draft të përgatitur më herët.
BYLYKBASHI: KËRKUAM QË T’I DREJTOHEMI OSBE/ODIHR PËR KOALICIONET
Pas daljes nga mbledhja 2 orëshe e Këshillit Politik, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi u shpreh se maxhoranca ka kundërshtuar kërkesën e tyre për t’i kërkuar mendim OSBE në lidhje me koalicionet parazgjedhore. Në fjalën e tij para gazetarëve, pasi doli nga mbledhja, Bylykbashi tha se nëse maxhoranca bie dakord për hapjen 100% të listës së deputetëve e gjitha puna për ndryshimet në Kodin Zgjedhor mbyllet brenda 2 ditëve.
“Ajo që kërkon opozita është që zgjedhësit të kenë të drejtë që të zgjedhin, pra të përcaktojnë ata deputetët në parlament dhe, po zgjedhësit, të kenë të drejtë të votojnë partinë që duan ata. Koalicionet me listë të përbërë e lejojnë këtë mundësi. Ajo që kërkon maxhoranca është që t’u heqë zgjedhësve mundësinë e listave 100 përqind të hapura për kandidatët dhe t’i ketë pjesërisht të mbyllura. T’u heqë mundësinë zgjedhësve të zgjedhin lirisht partinë politike që ata duan. Ne, për çështje që nuk kemi dakordësi, sipas kësaj marrëveshje kemi të drejtën t’i drejtohemi OSBE/ODIHR për të dhënë opinion për çështjet, kur nuk gjendet konsensus. Bëmë këtë propozim që u refuzua nga përfaqësuesi i maxhorancës. Ai shprehu qartë qëndrimin se nuk është dakord të marrë opinionin e OSBE/ODIHR.
Ne i japim kohën që të reflektojnë dhe jemi gati që nesër të nënshkruhet kjo kërkesë e përbashkët dhe po nesër të vazhdojë puna për hapjen 100 për qind të listave dhe për gjithë çështjet e tjera. Koalicionet janë sot në Kodin Zgjedhor dhe nuk ka nevojë ç’të draftohet. Funksionojnë perfekt, me çdo lloj sistemi zgjedhor, janë pjesë e sistemit politik prej 17 vitesh dhe janë sot në Kushtetutë. Në nenin 96 të Kushtetutës, koalicionet para qeveritare, pra, zgjedhore, ekzistojnë sot dhe nuk kemi ç’t’i shkruajmë. Në Kod Zgjedhor janë të mirëshkruara formula për shpërndarjen e mandateve, të cilën Komisioni i Venecias e bën fare të qartë qe nuk duhet ndryshuar më vonë se 1 vit para datës së zgjedhjeve. Në lidhje me pyetjen për sa i përket listës së hapur 100%, për ne kjo është shumë e qartë, shumë e thjeshtë. Ata bëjnë propozimin dhe në momentin që sjellin listën e hapur 100%, nuk ka fare nevojë të zgjatemi, mund të mbyllet edhe brenda dy ditësh kjo si çështje”, u shpreh Oerd Bylykbashi
GJIKNURI: OPOZITA TË SJELLË DRAFTIN E PROPOZIMEVE DERI TË PREMTEN
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, pas mbledhjes së djeshme u shpreh se maxhoranca është gati të pranojë propozimet e opozitës, por se nuk do të presë pa fund. Ai tha para gazetarëve në dalje nga mbledhja se opozita duhet të sjellë propozimet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor për t’ju përshtatur ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut deri të premten.
Ai theksoi se qëllimi i maxhorancës që puna në Këshillin Politik për të implementuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të përmbyllen deri në 30 shtator. Sa i përket kërkesës së opozitës për t’ju drejtuar OSBE/ODIHR për çështjen e koalicioneve, ai theksoi se në këtë organizëm ndërkombëtar mund të shkohet me një draft të shkuar dhe mbi pika, ku palët nuk bien dakord gjatë negociatave.
“Pas një debati të gjatë, fatkeqësisht PD dhe Opozita qëndroi me të njëjtat pozicione sikur s’ka ndodhur asgjë. Kushtetuta është ndryshuar dhe u kthyen tek i njëjti debat tek koalicionet që është ezauruar në Këshillin Politik. Ne si formulim mund të marrim një model të vendeve të OSBE. I thashë opozitës, deri të enjten të sjellin propozimet në lidhje me formulimet për pragun zgjedhor, afatet etj, që PD është e hapur t’i sjellë. Qëllimi i tyre është ta vonojnë këtë proces që të mos implementohen ndryshimet kushtetuese. Synojnë që ndryshimet kushtetuese të mos implementohen.
Me konsulta dhe zvarritje, dhe shkojmë në limite që s’mund t’i bëjmë. Kërkova që brenda 30 shtatorit çështja të mbyllet përfundimisht. Sa i përket kërkesës që t’i drejtohemi ODIHR. Fatkeqësisht, kur e thirrëm për rekomandime nuk e morëm parasysh. ODIHR-it i shkohet me drafte kur s’ka dakordësi. Nëse kemi dispozita që s’biem dakord i drejtohemi, se ODIHR nuk jep opinione. Nëse draftet e PD dhe të PS kanë diferenca, atëherë i drejtohemi. Gjithmonë bëhen konsultime mbas Kodit Zgjedhor. Le të sjellin draftet, ku s’ka dakordësi i drejtohemi ODIHR. Jo t’i çojmë idetë tona. Kuvendi i ka votat, prandaj Komisioni i Ligjeve ngriti grupin e punës. Do reflektojmë edhe shqetësimet e opozitës, si kuotat gjinore, apo dhe të tjera që ruajnë integritetin e listave të hapura dhe pragu zgjedhor”, tha Gjiknuri.
“PS s’i hap listat 100% për të bllokuar Këshillin Politik”
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili pas daljes nga mbledhja e Këshillit Politik deklaroi se maxhoranca socialiste po tenton që ta bllokojë punën e Këshillit Politik, duke mos pranuar hapjen e listave 100%.
“Hapja e listave refuzuan që të diskutojnë, lidhet me bllokimin që i bëjnë Këshillit Politik. Ata nuk kishin asnjë draft të vet pasi ishin pala iniciatorë të këtyre ndryshimeve. Të mbetet në rekorde që Shqipëria bllokon diskutimet me OSBE duke bërë precedentin më të turpshëm të një Shqipërie pluraliste. Afatet që vendos maxhoranca me veten e vet janë problem i saj. Ky këshill nuk është për të bërë fasadat e maxhorancës. Ata thanë që nuk kanë në draft. Kjo ose është një gënjeshtër ose mungesë serioziteti. T’i bëjmë një kërkesë OSBE, nëse ata sjellin shkresën për hapjen e listave 100% mbyllet ajo çështje”, tha Vasili.
Burimi: Panorama.al