Partia Demokratike është rikthyer në pamjen e mëparshme. Pas trazirave që ndodhën me 8 Janar, tashmë në selinë e Partisë Demokratike janë vendosur dyer dhe dritare si dhe janë ngritur banderolat blu. Kryedemokrati Lulzim Basha ka ndarë një video nga ngritja e banderolës që sipas tij simbolizon ringritjen e partisë.
Çfarë ndodhi mes palëve më 8 Janar?
Më 8 Janar në selinë e PD, ndodhi një situatë e paprecedentë me dhunë e të lënduar, ku për më shumë se 3 orë pati përplasje mes mbështetësve të Berishës me ata të Bashës që ishin brenda godinës. Megjithatë protestuesit u larguan me mbërritjen e rreshtimin e Policisë së Shtetit në oborrin e PD-së, ku edhe nisën menjëherë veprimet për hetim. Për disa orë, selia e PD ishte e mbushur me efektivë policie dhe hetues, ndërkohë që Basha akuzoi ish-kryeministrin Berisha për të gjitha sulmet dhe trazirat e shkaktuara. 34 persona u vunë në pranga, 18 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë për ngjarjet e ndodhura në Selinë e Partisë Demokratike. Mes tyre është edhe sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi e deputeti Flamur Noka. Vetë Basha e ish-kryeministri Berisha do të merren në pyetje nga prokuroria në lidhje me ngjarjen në fjalë