Eleminimi i Partizanit nga Champions League lë një shije të hidhur, por nuk është i pamerituar. Ky është përfundimi në të cilin del një njohës shumë i mirë i futbollit shqiptar si trajneri Farruk Sejdini. “Duhet ta pranojmë se BATE ishte një ekip i dobët dhe se Partizani kishte shanse të mira për tu kualifikuar, por mendoj se ekipi i Zekiç nuk racionoi mirë forcat. Ata duhet që të futeshin në fushë me një strategji të qartë, të mos pësonin gol dhe të tregoheshin të duruar”, tha Sejdini.
Trajneri kishte pak kohë në dispozicion por edhe strategjia e zgjedhur prej tij e disa lojtarë, ishin zgjedhje të gabuara. “Trajneri duhet të kishte zgjedhur më mirë lojtarët. Da Silva nuk më bindi aspak ndërkohë që Cara u venit me kalimin e minutave”, analizoi ish-trajneri.
Prej më shumë se 6 vitesh, skuadrat kampione të vendit dështojnë që në raundin e parë të Chamions League dhe për Sejdinin ka një arsye të fortë pse ndodh kjo. “Mendoj se mungesa e fushave ndikon shumë. U bënë gati 7-8 vite ku mbi katër formacione të Superiores nuk dinë se ku do të luajnë ndeshjen e radhës. Kjo është e papranueshme”, shpjegon Sejdini.