Partizani ka nisur të planifikojë edhe detajet e fazës përgatitore që do t’i paraprijë sezonit të ri. Pas mbylljes së kampionatit, vëmendja e drejtuesve është përqendruar jo vetëm te çështja e trajnerit dhe merkatos, por edhe te organizimi i periudhës parasezonale, e cila konsiderohet shumë e rëndësishme për ndërtimin e skuadrës.
Të kuqtë pritet të rikthehen nga pushimet në fundin e muajit qershor, periudhë kur do të nisë zyrtarisht edhe puna për sezonin 2026-2027. Megjithatë, këtë herë skuadra nuk do të ketë mundësi të stërvitet në kompleksin e saj. Në “Arenën e Demave” kanë nisur punimet për ndryshimin e tapetit të fushës, projekt që do të sjellë një terren me sistem hibrid mes barit natyral dhe atij artifi cial.
Për pasojë, ekipi i parë do të zhvendoset përkohësisht në kompleksin e FSHF-së, ku do të zhvillojë seancat stërvitore gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, mbetet ende e hapur çështja e fazës përgatitore. Në klub nuk është marrë ende një vendim përfundimtar nëse grumbullimi do të zhvillohet jashtë Shqipërisë apo brenda vendit. Një rol të rëndësishëm në këtë vendimmarrje do të ketë trajneri i ri. Drejtuesit synojnë që tekniku që do të marrë drejtimin e skuadrës të ketë fjalën kryesore sa i përket programit të përgatitjeve dhe organizimit të fazës parasezonale. Pikërisht për këtë arsye, shumë vendime janë lënë në pritje deri në emërimin e trajnerit.
Klubi dëshiron që stafi teknik i ardhshëm të ketë mundësinë të përcaktojë axhendën e punës sipas ideve dhe metodave që dëshiron të aplikojë. Një nga alternativat që po shqyrtohet është zhvillimi i fazës përgatitore në Greqi. Ky opsion është diskutuar në ambientet e klubit, por deri tani nuk ka asnjë vendim zyrtar. Përveç aspektit sportiv, në llogaritë e drejtuesve hyn edhe ana financiare. Partizani nuk do të marrë pjesë në Kupat e Europës gjatë këtij sezoni dhe kjo do të thotë mungesë e të ardhurave që zakonisht sigurohen nga kompeticionet kontinentale. Për këtë arsye, klubi pritet të tregojë kujdes në menaxhimin e shpenzimeve gjatë verës.
Çdo investim do të vlerësohet me kujdes, përfshirë edhe kostot që lidhen me organizimin e fazës përgatitore. Në ditët dhe javët në vijim pritet të ketë më shumë qartësi për këtë çështje. Deri atëherë, fokusi kryesor mbetet zgjedhja e trajnerit të ri, ndërsa më pas do të përcaktohen edhe hapat e tjerë që lidhen me përgatitjet e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
1 comment
Comments are closed
Add Comment