UASHINGTON – Të paktën nuk do të ketë një mbyllje të qeverisë.
Por ndërsa ligjvënësit kthehen në Uashington për një seancë të shkurtër para zgjedhjeve, shpresat po zbehen për një projekt-ligj tjetër të ndihmës financiare për koronavirusin – ose shumë më tepër.
Bisedimet mes demokratëve të lartë dhe administratës Trump u ndërprenë muajin e kaluar dhe mbeten pa krye, ndryshe nga uniteti dypartiak në pranverë që çoi në miratimin e paketës prej gati 3 trilionë dollarësh në ligj këtë pranverë të mëkëmbjes nga koronavirusi.
Pritshmëritë në korrik dhe gusht se do të bihej dakort për një projekt-ligj tjetër dyipartiak në përgjigje të pandemisë, megjithë pengesat në rritje, janë zëvendësuar nga pesimizmi i mirëfilltë. Bisedimet e fundit në lidhje me ndihmën COVID-19 mes lojtarëve kryesorë nuk kanë dhënë rezultat.
Demokratët duken të sigurt në pozicionin e tyre politik, me Presidentin Donald Trump dhe disa anëtarë të Senatit që mbeten pas në sondazhe.
Presidenti Trump po kërkon të anashkalojë pandeminë si një çështje fushate dhe republikanët nuk janë të interesuar në një marrëveshje me kushtet e demokratëve – edhe pse nevojat si ndihmat për shkollat gëzojnë një mbështetje të gjerë.
Trump tha të hënën se demokratët “nuk duan të bëjnë një marrëveshje sepse mendojnë se nëse vendi është sa më keq që të jetë e mundur … kjo është mirë për demokratët”.
E gjithë kjo rrezikon shanset për një raund tjetër pagesash të drejtpërdrejta prej 1,200 dollarësh të shpërndara nën emrin e Trump-it, rivendosjen e përfitimeve më bujare të papunësisë për ata që kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë, rifillimin e një programi popullor të subvencionit të biznesit dhe para për të ndihmuar shkollat të rihapen dhe shtetet dhe qeveritë lokale të shmangin pushimet nga puna. VOA