Ministri i Punëve të Jashtme, Integrimit Rajonal dhe Diasporës i Togos, Robert Dussey, konfirmoi në në Beograd “mbështetjen e parezervë” për integritetin territorial të Serbisë, raportoi agjencia Beta.
“Ne në Togo njohim vetëm një Serbi, një Serbi të bashkuar. Jam i lumtur që ju dëgjoj duke përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe ky është vendim definitiv”, tha ai gjatë takimit në Beograd më 16 janar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçic. Që nga viti 2019, Serbia pretendon se Togo ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Togo njohu pavarësinë e Kosovës më 2 korrik 2014 dhe atëbotë kishte qenë pikërisht kryediplomati Dussey që me ministrin e atëhershëm të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, kishin nënshkruar marrëveshjen për themelimin e raporteve diplomatike mes dy shteteve.
Daçiq ndërkaq tha se tërheqja e njohjeve të Kosovës hap mundësinë për dialog dhe negociata, sepse ata që e duan një Kosovë të pavarur “duan ta bëjnë përmes rrugëve të shkurtra apo forcës, apo duke mbivotuar në disa forume ndërkombëtare”.
Qeveria e Serbisë njoftoi se kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka falënderuar Dusseyn për “pozicionin parimor” të Togos, kur bëhet fjalë, siç ka thënë zyra e saj, për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë.