Policia ka hetuar aksidentin e rëndë që ndodhi në rrugën Vorë-Fushë Krujë, ku një automjet me katër të rinj u përplas me një betonierë të ndaluar në mes të rrugës. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin kur automjeti ka parakaluar dy kamionë dhe ka hyrë në rrugën kryesore për të vijuar udhëtimin, kur ka ndodhur përplasja fatale me betonierën.
Shoferi i betonieres, Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, ka dëshmuar se sapo ka hyrë në rrugë, mjeti i tij ka ndaluar për shkak të mungesës së naftës. Ai tha se ka provuar ta ndezë dy herë makinën dhe më pas ka shkuar për të marrë naftë, por ka harruar të ndezë bllokazhin e makinës dhe të vendosë sinjalistikën përkatëse. Në dëshminë e tij të parë, ai tha se betoniera ishte në lëvizje, por më vonë ka korrigjuar versionin, duke treguar se mjeti ishte ndaluar.
Grupi hetimor dyshon se betoniera mund të ketë pasur një defekt dhe se nuk janë marrë masat për paralajmërimin e automjeteve që po vinin pas, siç kërkon ligji. Po ashtu, hetuesit besojnë se përplasja ka ndodhur me shpejtësi të lartë, rreth 140 km/orë, dhe mungesa e fushëpamjes për drejtuesin e automjetit të aksidentuar është përkeqësuar nga mungesa e ndriçimit në zonë. Hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit vazhdojnë.