Pas 12 viteve në Kategorinë Superiore, Kukësi po përjeton sezonin më të keq dhe vetëm matematika i jep shpresë. Në këto 12 vjet, skuadra verilindore ka qenë ndoshta më e qëndrueshmja dhe njohu suksese të mëdha, kulmuar me titullin kampion më 2017. Kukësi nuk fiton prej plot 123 ditësh në kampionat, ose e thënë më saktë që prej 27 tetorit të vitit të shkuar, pra 4 muaj më parë. 15 ndeshje pa fitore, 7 humbje radhazi bëjnë që Kukësi të jetë me një këmbë në Kategorinë e Parë.
Rënia duket shumë pranë, ndonëse ka ende shpresë për sa kohë që matematika ia lejon, por edhe në rast mbijetese ky do të mbetet një sezon katastrofik për skuadrën e qytetit verilindor që në pjesën më të madhe të 12 viteve të fundit ka qenë, pa e ekzagjeruar aspak, një nga skuadrat më të mira dhe ndoshta skuadra më e qëndrueshme.
Kalendari nuk do të jetë i lehtë për Kukësin që do të ndeshjet me Partizanin në fundjavë e më pas do të takohet me Laçin për të mbyllur fazën e tretë. Situatë kritike e Kukësit, që edhe pse në ndeshje të caktuara ka krijuar raste e volum loje nuk ka arritur që të marrë rezultet, ato çka janë më të rëndësishme dhe tani e sheh veten në një moment kritik.