Krem Karameli është një ëmbëlsirë delikate, plot finesë dhe shije fantastike.
Receta është shumë e lehtë për t’u përgatitur në çdo kohë dhe është një mënyrë fantastike për ta ndarë me familje apo për t’ia ofruar miqve apo të afërmve teksa na vizitojnë në shtëpi.
Shija e krem karamelit është tërësisht e lehtë dhe butë, aq sa nëse e gatuan në shtëpi vështirë se mund të rrish pa ngrënë të paktën dy të tillë.
Fantastik në shoqërimin e kafesë, ekspres qoftë apo turke, apo edhe çajra të ndryshëm gjithashtu.
Mund të kombinohet e shoqërohet gjithashtu edhe me fruta të freskëta, sidomos me shegë apo luleshtrydhe.
Ja një recetë të thjeshtë të përgatitjes së krem karamelit në shtëpi.
Përgatitja e Krem Karamelit në Shtëpi
Për përgatitjen e karamelit
150 gramë sheqer
50 ml ujë
3 pika lëng limoni
Për përgatitjen e kremit
1 l qumësht
1 gotë ujë me sheqer
6 kokrra vezë
Dy lugë të vogla vanilje
Procesi i përgatitjes
Përgatisim karamelen duke hedhur në një enë sheqerin dhe ujin. I vendosim në zjarr deri sa të marrë ngjyrën kafe të errët të karameles.
Ashtu siç është e nxehtë dhe karamelja është duke pluskuar e hedhim në enën apo kupat e aluminit ose qelqi të trashë ku do ta pjekim.
Nga ana tjetër nisim përgatitjen e kremit. Hedhim në një enë vezët, sheqerin dhe vaniljen dhe shtojmë pak nga pak qumështin e nxehtë duke i trazuar.
Sigurohemi që qumështin e nxehtë të mos e hedhim menjëherë pasi priten vezët.
Masën e përgatitur e shtojmë tek ena ku kemi hedhur karamelen e shkrirë.
Enën me krem karamel e vendosim në tepsi në të cilën hedhim një gotë të madhe me ujë.
I fusim në furrë për pjekje me 180 gradë për 30 minuta derisa kremi të mpikset.
Pasi fikim furrën i lëmë edhe pak në ngrohjen e furrës dhe kur e servirim, sipas preferencës mund ta përmbysim në mënyrë që pjesa e sipërme të jetë e mbuluar nga karameli.
Burimi: AgroWeb.org