104
Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka publikuar vendimet në lidhje mbi ngjarjet e ndodhura në javët e fundit të Superiores dhe Kategorisë së Parë. Ajo që bie në sy, është pezullimi me katër ndeshje i presidentit të Bylisit, Besnik Kapllanaj i cili tërhoqi skuadrën nga fusha në shenjë proteste në takimin kundër Tiranës. Komisioni i Disiplinës ka pezulluar për 1 vit presidentin e Apolonisë, Koço Kokëdhima për shkak së hyrjes në fushë në takimin Apolonia-Gramshi dhe që u konfliktua me arbitrin.
VENDIMET E KOMISIONIT TË DISIPLINËS
.KF Teuta, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së seancave stërvitore në ambientet e Stadiumit Niko Dovana, ku zhvillohen ndeshjet zyrtare, duke shkelur nenin 38/2 të Rregullores së Aktivitetit, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF.
2. KF Egnatia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
3. KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
4. KF Bylis, për mos respektimin e detyrimeve dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa gjatë zhvillimit të ndeshjes, në bazë të neneve 8/1 dhe 13/2/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
5. Zyrtari i KF Bylis, Besnik Kapllanaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe shekelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë, në bazë të neneve 13/2/a dhe 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
6. FK Apolonia Femra, për mos marrjen e masave të nevojshme për rendin dhe sigurinë në ndeshje duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 8, 17/1 dhe 17/2/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë.Sipas nenit 76/1/d të KDE, gjoba të aplikohet në masën 5%.
7. Zyrtari i FK Apolonia Femra, Maringlen Kule, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
8. Zyrtari i FK Apolonia, Koço Kokëdhima, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE dënohet me 1 (një) vit pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.