Tifozët e Tiranës shquhen për atmosferën e zjarrtë që ata krijojnë.
Pak ditë më parë Tirana prishi ecurinë fantastike të fitoreve në ndeshjen me Teutën, pasi humbi 1-0. Gjithsesi bardheblutë i rikuperuan shpejt tre pikët, por edhe ajo humbje do ja vlejë të kujtohet dhe kjo për shkak të tifozëve ‘Tirona Fanatics’.
Siç dihet tifozët nuk lejohet të qëndrojnë në stadiume, por grupimi në fjalë nuk mund ta linte vetëm ekipin. Për këtë arsye ata u ngjitën në taracën e një pallti pranë stadiumit Niko Dovana, ku bënë edhe një atmosferë elektrizuese me flakadanë, a thua të ishin në stadium dhe po mbështesnin skuadrën në kushte normale.
Një foto e shkrepur nga ky moment është shpërndarë nga faqja e njohur e huaj e dedikuar për tifozët, ‘ULTRAS-TIFO.NET’. Në foton e shpërndarë ajo shkruan: “Nuk lejohen tifozët? Nuk ka problem.”