Humbja 3-1, Ilir Daja me rezerva: Duhej arbitër me më shumë eksperiencë

Ilir Daja

Ilir Daja foli pas humbjes 3 me 1, që Dinamo pësoi ndaj Flamurtarit. Kjo ishte një disfatë e pazakontë për këtë sezon, pasi Dinamo nuk kishte pësuar tre gola brenda një ndeshje gjatë këtij sezoni. Daja shprehu rezerva për caktimin e Erjon Bastarit si gjyqtar kryesor.

“Më vjen keq që kemi marrë gola që mund t’i kishim evituar. Sidomos golin e parë, që ishte kros nga gjysma e fushës. Mbrojtësit duhet të merrnin në markim Maksutin. Marrim gol nga goditjet standarde. Besoj se kemi bërë një pjesë të parë të mirë dhe kontrolluar. Për pasin e fundit, mund ta çonim rezultatin me dy gola diferencë. Do na jepte qetësi sepse jemi tejmase të ngarkuar. Para katër ditësh luajtëm gjysmëfinalen, këto që bëjnë kalendarin duhet ta kenë mënyrën e shpërndarjes. Tani ngjeshen çdo 3-4 ditë, mund të bëhet më përpara. Nga një lojë në pjesën e parë e mirë, bëmë një pjesë të dytë që ndoshta dhe për shkak të mungesës së energjive. E kishim ndeshje për objektiv, lojtarët që ishin në fushë mund të bënin sakrificë më të madhe. Të nxirrnin shpirtin, për të mbajtur atë pjesë të parë të mirë që bëmë.

Pas golit të dytë që morëm në goditje standarde, pastaj prishëm ekuilibrat dhe po luanim gjithçka për gjithçka. Lamë shumë hapësira prapa. Duke na kapur disa herë edhe me kundërsulm. Ajo pjesa e mentalitetit të fituesit që kanë lojtarët, që nuk pranuan dot disavantazhin, bëri që të hidheshim dhe duke mos pasur ekuilibrat apo shkallëzimet, që një lojtar si Maksuti të mos i lejonim aq shumë hapësirë.

Ajo që e vështirëson këtë situatë, jo sepse jemi në ngarkesë në të dyja frontet. Kjo është motiv më shumë për lojtarët, kampionat dhe Kupë. Çfarë e bën të vështirë, është se dhe lojtarë si Qefalija, Neziri, bëhet e vështirë kjo pjesë sepse duhet të rrotullohesh me 10-12 lojtarë. Dhe 2-3 lojtarë vijnë nga dëmtimet, nuk kanë gjendjen e tyre më të mirë. Do vazhdojmë, jemi aty. Ndoshta kjo ndeshje që ishte me objektiva, se dhe Flamurtari ka objektivat e veta, duhet të kishte një arbitër më me prezencë në fushë. Nuk është se kam që ndikoi arbitri te rezultati, por në një ndeshje të tillë duhet më respekt. Qoftë për Flamurtarin, qoftë për Dinamon, të ishte një arbitër më me eksperiencë në lojë”, u shpreh Ilir Daja për “RTSH”.

Related posts

“Ishte ditë e bukur për ne”/ Gvozdenovic në qiellin e shtatë pas fitores: Shumë emocione, megjithatë asgjë nuk ka përfunduar

Maksuti “djeg” Dinamon, Flamurtari beson te mrekullia (video)

Gjak dhe gola! Elbasani dominon ndaj Vllaznisë dhe merr vendin e parë (video)