Maksuti “djeg” Dinamon, Flamurtari beson te mrekullia (video)

Erald Maksuti

Erald Maksuti ishte padyshim protagonisti absolut i javës së 33-të në Abissnet Superiore, duke udhëhequr Flamurtarin drejt një fitoreje shumë të rëndësishme 3-1 ndaj Dinamos në Vlorë. Sulmuesi shkëlqeu me një tregolësh spektakolar, duke mbajtur gjallë shpresat e ekipit të tij për mbijetesë në elitën e futbollit shqiptar. Sfida nisi me ritëm të lartë dhe raste të shumta nga të dyja skuadrat. Ishte Dinamo që befasoi që në minutën e 6-të, kur Koma përfitoi nga një moment hutimi në mbrojtjen vendase dhe dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar të tijtë në avantazh të hershëm.

Megjithatë, reagimi i Flamurtarit ishte i menjëhershëm dhe i udhëhequr nga një Maksuti në formë të shkëlqyer. Në minutën e 18-të, ai riktheu baraspeshën me një goditje të saktë me kokë, duke shfrytëzuar maksimalisht një krosim nga krahu. Goli i dha besim vendasve, të cilët filluan të marrin kontrollin e lojës. Në fillimin e pjesës së dytë, historia u përsërit: sërish Maksuti protagonist, sërish me kokë. Sulmuesi realizoi golin e dytë personal dhe përmbysi rezultatin, duke ndezur entuziazmin në stadiumin e Vlorës. Dinamo u përpoq të reagojë, por u përball me një mbrojtje të organizuar dhe një portier në ditë të mirë.

Në minutën e 73-të erdhi edhe goditja përfundimtare. Maksuti kompletoi “hat-trick”-un e tij, duke vulosur rezultatin 3-1 dhe duke u kthyer në heroin e padiskutueshëm të ndeshjes. Me këtë fitore, Flamurtari i drejtuar nga Andi Ribaj vazhdon të besojë te mbijetesa, duke u afruar vetëm 3 pikë me zonën e shpëtimit. Nga ana tjetër, Dinamo mbetet në vendin e katërt, por ndjen nga afër presionin e Partizanit, me kampionatin që hyn në fazën më vendimtare, vetëm tri javë nga përfundimi.

Related posts

“Ishte ditë e bukur për ne”/ Gvozdenovic në qiellin e shtatë pas fitores: Shumë emocione, megjithatë asgjë nuk ka përfunduar

Humbja 3-1, Ilir Daja me rezerva: Duhej arbitër me më shumë eksperiencë

Gjak dhe gola! Elbasani dominon ndaj Vllaznisë dhe merr vendin e parë (video)