Kukësi i këtij sezoni ka lënë shumë për të dëshiruar, pasojë edhe e ndryshimeve të shumta që bëri klubi në përbërjen e skuadrës, si në verë, ashtu edhe në janar. Lojtarët e afruar me bujë nuk bënë diferencën dhe klubi ndërpreu marrëveshjet me ta.
Një prej tyre ishte edhe mesfushori i afruar me shumë bujë, Edëin Gyasi. Lojtari i cili kishte bërë karrierë në Holandë, teksa kishte luajtur edhe me klube me emër në Bullgari, Turqi apo Izrael, nuk ia doli të bënte diferencën në mesfushën e verilindorëve, duke e mbyllur eksperiencën e tij në Superiore me vetëm 10 ndeshje të luajtura dhe asnjë gol i shënuar.
Ai u la lojtar i lirë nga verilindorët në janar, por nuk kishte firmosur për asnjë klub tjetër deri tani. Ai do të vazhdojë karrierën e tij përsëri në futbollin turk. Mediat turke kanë bërë të ditur se Gyasi ka firmosur me klubin e Karşıyaka, që luan në kategorinë e katërt turke.