Barazim pa gola në përballjen mes Egnatias dhe Vllaznisë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të Kategoria Superiore. Takimi i zhvilluar në Rrogozhinë përfundoi me rezultatin 0-0, në një sfidë të luftuar, por që u dominua nga tensionet në pjesën e dytë të lojës.
Momentet më të nxehta të takimit u regjistruan në minutën e 71-të, kur gjyqtari ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin e vendasve, Arbenit Xhemajli, pas një dueli me sulmuesin shkodran Bekim Balaj. Vendimi i arbitrit shkaktoi reagime të forta nga futbollistët dhe stafi i Egnatias, të cilët protestuan ashpër për vendimin.
Në këtë situatë, arbitri vendosi të konsultohej me sistemin VAR, duke shkuar në monitor për të rishikuar episodin. Pas verifikimit të pamjeve, ai i qëndroi vendimit fillestar duke konfirmuar kartonin e kuq për mbrojtësin e skuadrës rrogozhinase. Protestat e vendasve sollën edhe një moment të pazakontë, pasi futbollistët e Egnatias braktisën për disa minuta fushën e lojës. Situata u tensionua më tej me përplasje mes stafeve dhe lojtarëve të të dy skuadrave. Në mes të këtij kaosi, me karton të kuq u ndëshkua edhe trajneri i Egnatias, Edlir Tetova.
Pas afro shtatë minutash ndërprerje dhe protestash, skuadra vendase u rikthye në fushë dhe loja rifilloi normalisht. Megjithatë, pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja ekipet në minutat e mbetura, rezultati nuk ndryshoi dhe sfida u mbyll në barazim 0-0. Takimin nga tribuna e ndoqi edhe presidenti i Federata Shqiptare e Futbollit, Armand Duka, i pranishëm në stadium në një ndeshje që u karakterizua më shumë nga tensionet sesa nga spektakli në fushë.