Egnatia është në krizë rezultatesh dhe tashmë kjo është e qartë. Skuadra rrogozhinase ka regjistruar ndeshjen e 5-të radhazi pa fitore dhe kryesimi i saj ka filluar të duket më pak i fortë se sa në fazat e mëparshme. Kryesuesit e Superiores janë ndalur sot në barazimin 1-1 në shtëpi përballë Dinamos, në një ndeshje të luftuar. Por vendasit nuk u shprehën si zakonisht në fazën ofensive, ndërsa miqtë u mbrojtën me rregull, pasi kishin udhëtuar me objektivin që të merrnin pikë në një fushë të vështirë.
Golat e Zejnullait dhe Kaçorrit në fillimin e pjesës së dytë e bënë sfidën më të bukur, pasi në fund ekipet u hapën në kërkim të golit të fitores. Megjithatë, asnjëra nuk u tregua e saktë në veprimet para porte, duke shpërdoruar mundësinë për të marrë pikët e plota nga ky duel.