Kryeministri Rama prezantoi dje platformën dixhitale të PS-së, përmes së cilës anëtarësia e saj do të japë vlerësimin për aktivitetin dhe punën e çdo deputeti, por dhe të ministrave. Përmes një aplikacioni, çdo anëtar i PS-së, i cili do të ketë një fjalëkalim tijin, do të mund të votojë nga 1-5 deputetët, por dhe ministrat.
Kjo nismë vjen pas një procesi të gjatë të nisur në PD përmes një komisioni vlerësimi në selinë blu të kandidatëve për deputetë, ku tani është anëtarësia e saj që po voton listën e parapëlqyer. Kreu i PS-së e cilësoi farsë procesin në PD, ndërsa shtoi se kjo platformë do të shtrijë përdorimin e saj edhe për ata që nuk janë anëtarë të PS-së, kur vjen puna për kandidaturat për deputetë apo projektet e ndryshme që kjo parti do të diskutojë me publikun. Kryeministri Rama tha se do të tërhiqet nëse nuk do të marrë 71 mandate për të krijuar qeverinë e re në mandatin e tretë. I pyetur se nëse nuk do ketë votat e mjaftueshme a do bashkëpunojë me PD, Rama tha: “Ditën që shqiptarët nuk do më besojnë mua të jem në rolin e kryeministrit, do i përqafoj gjithë shqiptarët me një mirënjohje dhe do iu them puna e mbarë atyre që do marrin stafetën”.
EDI RAMA
VLERËSIMI I DEPUTETËVE
Mundësia për të shfrytëzuar hapësirën që krijon teknologjia është e jashtëzakonshme dhe zhvillimi i komunikimeve, jo vetëm individualisht dhe jo vetëm me shkrim, por edhe i komunikimeve me grupe përmes video-kontakteve është një hapësirë e mrekullueshme që krijohet. Ne do të bëjmë këtë proces për të dëgjuar çdo anëtar dhe anëtare partie, lidhur me deputetët dhe deputetet në qarkun e vet. Çdo anëtar dhe anëtare partie do të japë një vlerësim me pikë nga 1 te 5-a, në mos gabohem, ku sigurisht 1 është vlerësimi më i ulët, 5 është vlerësimi më i lartë, për si e sheh çdo deputet dhe deputete pas kësaj periudhe përfaqësimi, bazuar në mbështetjen që ai\ajo ka dhënë, bashkë me të tjerët sigurisht, anëtarë dhe anëtare të Partisë Socialiste. Këto vlerësime do të na ndihmojnë shumë për të kuptuar nivelin e marrëdhënieve mes deputetëve dhe anëtarëve të partisë. Do të na ndihmojnë shumë edhe për krijimin e skuadrës që do fitojë në 25 prill.
SONDAZHI PËR KANDIDATËT
Nuk dua të përziej lajmet e as të bashkoj hapat, por në ditët në vijim ne do të hapim një proces tjetër, i cili do të jetë përsëri përmes platformës së Partisë Socialiste, por do të jetë i ndarë në dy grupe, pra, jo vetëm për anëtarësinë e Partisë Socialiste, por të gjithë publikun, lidhur me deputetët që njerëzit duan. Këtu nuk do të shohim krahë, nuk do të shohim kush është kush, do t’u japim mundësi të gjithëve që të japin opinione lidhur me figura të cilat gëzojnë respekt, tërheqin vëmendje, kanë mbështetje në komunitete të ndryshme, sipas kategorive të ndryshme, për të pasur një mundësi vlerësimi dhe gjykimi në shkallë të gjerë e për të mos e lënë përzgjedhjen e skuadrës së re thjesht e vetëm në kanalet tradicionale të marrjes së informacionit dhe të marrjes së propozimeve. Do të jetë një proces i hapur, që do ta ndjekim me shumë seriozitet. Ne duam të jemi sa më të përputhur me ndjesinë dhe me pritshmërinë e opinionit në çdo qark, lidhur me skuadrën që do të nxjerrim në fushë. Është shumë e rëndësishme të bëjmë vlerësimin e deputetëve aktualë, për të pasur qartësi të plotë dhe jo thjesht një vlerësim nga qendra apo nga Tirana, mbi si njerëzit atje e shohin secilin dhe secilën.
OPOZITA
Ne do të marrim një vlerësim të anëtarësisë. Ne nuk jemi për një proces të drejtpërdrejtë votimi për deputetët, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse Partia Socialiste është shumë më e madhe se anëtarësia dhe ne duhet të dëgjojmë anëtarësinë të parën dhe duhet të dëgjojmë dhe pjesën tjetër. Ju thashë, në dëgjimin e pjesës tjetër, ne nuk do të vendosim kufi fare. Nuk do të themi, në qoftë se ti nuk ke votuar kurrë PS-në, nuk ke të drejtë ta thuash fjalën tënde se kush mendon ti se do të të përfaqësonte më mirë si deputet në qarkun tënd. Do t’i themi kujtdo se kush të pëlqen dhe do të shohim në të gjithë këtë me përgjegjësinë pastaj që kemi për të drejtuar Partinë Socialiste.
Ne nuk bëjmë farsa si farsa e komisioneve “Nishani” dhe me këto votimet hiq kë nuk do dhe me lojërat hajde të shtojmë 1 mijë vota me vrap se na hoqën Voltanën, apo na hoqën atë figurën tjetër, ai mjeku popullor kundër koronavirusit. Ne nuk bëjmë nga këto. Partia ka një hierarki dhe ka përgjegjësi dhe këtu kthehemi te ligji elektoral, për të thënë se ligji ynë elektoral në të gjitha aspektet e veta, përjashto atë që është aty në ligj me kërkesë të Lulzim Bashës dhe PD-së, është një ligj konform të gjithave standardeve ndërkombëtare. Ka lista të hapura në të gjithë spektrin e vendeve demokratike që artikulohen në mënyrë të ndryshme.
MINISTRAT
Do të kemi edhe një rubrikë për vlerësimin e ministrave, të ndarë jo thjesht si deputetë, se kemi edhe ministra që nuk janë deputetë dhe do të marrim vlerësimin e njerëzve. Por dua të them që ministrat vlerësohen mbi bazën e kontratës së performancës që kanë dhe mbi bazën e detyrave që kanë. Një pjesë e madhe e detyrave nuk gjejnë vend në ekranet dhe portalet tuaja. Por ama ne i vlerësojmë, unë nuk i vlerësoj nga televizori, nga portalet, por nga rezultatet konkrete, fushë për fushë sipas objektivave, sipas kalendarit, sipas planit. Ne kemi një strukturë të tërë dixhitale në Kryeministri, që në kohë reale në ekran jep zbatimin e detyrave të tyre. Mbi këtë bazë bëhet nga ana ime vlerësimi. Patjetër do ta bëjmë pyetjen e anëtarësisë për këtë, por s’na ka penguar kjo të bëjmë edhe ndryshime kur ka qenë nevoja. Apo s’na pengon kjo të bëjmë ndryshime, po të jetë nevoja.