Dinamo nuk e fitoi titullin, por në skuadër ka dy “diamantet” më të çmuar të Kategorisë Superiore. Po flasim për Baton Zabërgjën dhe Itodo Mandelën.
Kjo dyshe është aktualisht te Dinamo, por duket shumë e vështirë që në sezonin e ri të jenë ende pjesë e bluve, pasi në adresë të klubit të kuq kanë mbërritur oferta të parefuzueshme. Deri më tani presidenti Bardhi ka rezistuar për hir të sukseseve sportive, por me mbylljen e sezonit, gjërat ndryshojnë.
MANDELA – Nigeriani është aktualisht lojtari më i shtrenjtë i futbollit shqiptar. Vlera e tij, sipas “Transfermarkt”, është 800 mijë euro, por nga ajo që flitet në klubin e kuq, 21-vjeçari pritet të shitet më shtrenjtë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se në adresë të Dinamos ka mbërritur një ofertë që i tejkalon 1 milion eurot. Për momentin Dinamo e ka mbajtur pezull këtë opsion, pasi kërkon të fitojë më shumë nga nigeriani. Këtë e shtyn edhe fakti se, sipas burimeve, 50% të kartonit të Mandelës i zotëron Luzi 2008, skuadra ku i riu spikati dhe fitoi interesin e Dinamos.
ZABËRGJA – Sulmuesi, i ardhur te blutë në vitin 2023, nuk spikati menjëherë dhe iu desh pak kohë të ambientohej me futbollin e Superiores. Për ata që e njohin, arritja në këto nivele është pak për një profesionist si ai. I qetë, punëtor, bashkëpunues, madje, një udhërrëfyes edhe për djemtë e akademisë, që i merr ndonjëherë të stërviten bashkë në seancat që ai bën plus të zakonshmeve me Dajën.
Talenti dhe puna e çuan te përfaqësuesja e Kosovës, teksa tashmë është gati të bëjë hapin e madh të “shtegtimit” në arena më të mëdha të futbollit. 24-vjeçari ka interes nga një sërë klubesh, me Dinamon, që pretendon të arkëtojë një shifër prej 800 mijë-1 milion euro nga shitja e tij. Skuadra nga Polonia, Kroacia, Ukraina e të tjera janë gati të paguajnë për ta blerë.