Te Dinamo ditën e sotme pritet të nisë puna për projektin e ri. Gjithçka do të nisë me zyrtarizimin e Luigi di Biaggio, me italianin që do të marrë në dorë “frenat” e Bluve.
Trajneri italian që ndoqi nga afër miqësoren me Skënderbeun e ka të qartë repartet ku duhet ndërhyrë. Nga sa mësohet mesfusha dhe sulmi janë prioriteti i tij dhe për këto dy repartee kërkon 4 lojtarë me eksperiencë që të mbajnë mbi supe gjithë skuadrën.
Preferencat e Di Biaggios janë nga Italia dhe Spanja, ku janë piketuar lojtarët e kërkuar, teksa në ditët e ardhshme pritet që të arrihet akordi me to. Përforcimi i parë i Dinamos pritet të jetë Salvatore Molina. Mesfushori 31-vjeçar është pa ekip, por ka luajtur në shumë sezone në Serinë B.
Disa ndeshjes i ka zhvilluar edhe në Serinë A, ku para një sezoni ishte pjesë e Monzas, apo edhe më herët në elitën e futbollit italian me Crotonen dhe Atalantën. Di Biagio e ka trajnuar më herët dhe për këtë arsye kalimi te Dinamo duket shumë i sigurt.