Dinamo dhe Tirana kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 32-të të “Abissnet Superiore”. Derbi që u zhvillua në stadiumin “Air Albania”, përfundoi me shifrat 1-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri i bardhebluve, Orges Shehi.
“Në këtë situatë ku jemi, mund ta fitonim ndeshjen, por ishim me fat te penallti, edhe mund të humbisnim. Unë mendoj që futbolli është lojë gabimesh, një gabim që ne mund ta shmagnim, e futën kundërshtarin në lojë dhe neve na futi në trysni të madhe. Është e vërtetë që kishim manovër ndryshe nga ndeshja me Egnatian. Nga mënyra si luan kundërshtari, duhej të qarkullonim topin. Në pjesën e parë bëmë disa gabime, por i rregulluam në pjesën e dytë. Kërkonim që të hiqnim një nga qendërmbrojtësit e kundërshtarit, për të sulmuar thellësinë me Xhixhën.
Në pjesën e dytë e pësuam shpejtë golin dhe nuk kishim si të merrnim masa, vetëm 5 minutat e fundit. Futëm 2 sulmues në fund dhe u munduam të merrnim gjithçka nga kjo ndeshje. Ne e vuajmë pak anën fizike. Xhixha dhe Tabekou nuk stërviten 100%, por nga rëndësia që kanë e nisin nga fillimi. Alvarez e ka të vështirë të marrë gjendjen fizike.
Tabekou zbriste shumë poshtë dhe ishte i rrezikshëm në sulm. U munduam ta fusnim në qendër, ashtu siç bëmë edhe golin. Kundërshtari patjetër që ka meritë, kanë një mënyrë loje që duan ta mbajnë topin në zotërim. Unë mendoj se deri diku ia dolëm, por nuk ishim konkretë në rastet e krijuara. Na kushtëzon edhe gjendja fizike e lojtarëve për të shkuar ultra ofensivë, ne pjesë të parë e bëmë. Por e zbritëm më pas skuadrën në zonën e dytë. Disa situtata mund të zgjidheshin më mirë”, tha Shehi.