Lajmet e fundit | Klikoje.al

Category: Receta

Kategoria Receta ka për qëllim të ndaj me ju receta, gatime nga me te ndryshmet. Tradicionale dhe europiane, të ëmbla dhe të kripura. Ne ju japim ide për vaktet tuaja!

  • Qumështor me petë dhe sherbet – Ëmbëlsirë e mrekullueshme!

    Qumështor me petë dhe sherbet – Ëmbëlsirë e mrekullueshme!

    Qumështori me Petë dhe Sherbet është një ëmbëlsirë e mrekullueshme, shija e të cilit është e papërshkruar kur përgatitet nga mjeshtëria e duarve të amvisave shqiptare.

    Fantastik për t’u konsumuar në çdo kohë, sidomos pas një vakti të plotë dreke apo edhe darke.

    Ideal për t’u shërbyer në raste festash e gëzimesh familjare, qumështori me petë e sherbet qendron padyshim në krye në listës së shijshme të gatimeve shqiptare.

    Ju sugjerojmë më poshtë recetën tradicionale të përgatitjes së kësaj ëmbëlsire unike krejt lehtë në shtëpi.

    Përgatitja e Qumështorit me Petë në Shtëpi

    Përbërësit

    (Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)  

    Për Kremin

    • 2 kokrra vezë
    • 5 lugë gjelle sheqer
    • 2 lugë gjelle miell
    • 2 filxhan çaji me qumësht
    • Pak vanilje

    Për Petët

    • 2 filxhanë çaji miell
    • 5-6 lugë gjelle me gjalpë të freskët

    Për Shurupin

    • 2 gota ujë me sheqer
    • 1 gotë e gjysmë me ujë

    Përgatitja

    Zihet brumi. Ndahet në pjesë të barabarta të punuara në formë topi, nga të cilat përgatiten petët. (këto hapen me dorë në tavolinë ose me petës)

    Petët pasi janë hapur lihen të thahen pak, pastaj priten në madhësi pak më të mëdha se madhësia e tepsisë.

    Lyhet tepsia me gjalpë, shtrojmë gjysmën e sasisë së petëve duke i spërkatur me gjalpë.

    Hidhet mbi të kremi, sheshohet dhe mbi të shtrohen petët e tjera të skërkatura me gjalpë.

    Anët e tepërta të petëve që mbeten jashtë tepsisë mbështillen nga brenda.

    Lyhet sipërfaqja me gjalpë dhe piqet.

    Pas pjekjes ftohet dhe pritet në copa.

    Në fund i hidhet shurup i vakët dhe i trashë si i bakllavasë.

    Sipas preferencës kur ta servirni mund t’i shtoni sipër disa feta të holla bajamesh.

    Përgatitja e kremit

    Në një tenxhere hedhim vezët, sheqerin, pak qumësht dhe rrihen mirë duke shtuar miellin e situr.

    Pastaj shtohet qumështi i nxehtë duke e trazuar vazhdimisht dhe vihet në zjarr që të marrë valë, pa ndërprerë të trazuarit.

    Hiqet nga zjarri, shtohet vanilje e holluar në qumësht dhe hidhet në enë tjetër që të ftohet.

  • Byrek me kungulleshka, vezë dhe kos – Shije e veçantë!

    Byrek me kungulleshka, vezë dhe kos – Shije e veçantë!

    Byrek me kungulleshka me siguri nuk ju bie shpesh rasti të dëgjoni dhe provoni.

    Megjithëse në disa krahina të vendit njihet një varietet i kësaj recete, me kungull dhe kripë apo kungull dhe sheqer.

    Sërish receta e byrekut me kungulleshka mbetet e veçantë dhe shumë e pazakontë për kuzhinën e përditëshme.

    Në shkrimin e sotëm ju sugjerojmë të provoni pikërisht këtë kombinim të pazakontë, por plot shije.

    Kungulleshkat me vezë dhe kos të mbështjellura në brumin e mrekullueshëm e të butë të byrekut do të kthehen shumë shpejt në të preferuarat tuaja.

    Ndiqni më poshtë recetën e këtij byreku të veçantë për ta përgatitur fare lehtë në shtëpitë tuaja.

    Përbërësit

    • 500 gr petë të gatëshme
    • 600 gr kungulleshka
    • 250 ml kos
    • 100 gr miell misri ose bukë e thekur
    • 100 ml vaj ulliri
    • 2 vezë
    • 1 qepë

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete nisni me përgatitjen e mbushjes.

    Në një enë të thellë përzieni mirë vajin, vezët dhe kosin dhe lërini veçmas.

    Më pas qëroni dhe prisni kungulleshkat në fije të holla, bashkë me qepën e prerë gjithashtu hollë.

    Bëni kujdes që kungulleshkat e prera në fije të holla ti shtrydhni pak në një pecetë, në mënyrë që të dali lagështira e tepruar.

    Shtojini perimeve kripë, piper sipas dëshirës, dy lugë gjelle vaj ulliri dhe përziejini mirë të gjithë përbërësit.

    Ndërkohë zgjidhni një tavë mesatare për pjekje, lyejeni me pak vaj dhe shtroni dy petët e para të lyera secila me pak vaj.

    Shtoni tek petët një lugë gjelle nga përzierja me kosin që përgatitët më parë, derisa e gjithë peta të jetë e mbuluar.

    Vazhdoni duke shtruar edhe petën e tretë, spërkateni pak me kos dhe mbulojeni sërisht me një petë .

    Po aty tek peta e katërt, hidhni pak nga qepa me kungullin duke e shpërndarë nëpër të gjithë sipërfaqen.

    Sipër hidhni edhe disa thërrime buke të thekur ose pak miell misri, pasi këto përbërës nuk do ta lënë byrekun të zbutet nga kungulleshkat.

    Sërish vazhdoni me petët, vendosni të pestën lyejeni me kos, mbulojeni me një tjetër petë dhe shtroni kungulleshkat.

    Mos harroni të spërkatni sërish me pak miell misri edhe në këtë shtresë.

    Bëjeni këtë proces me shtresat derisa të gjithë përbërësit dhe petët të mbarojnë.

    Pasi të shtroni dy petët e fundit sipër, priteni byrekun me kujdes në katrorë të vegjël sa një racion.

    Spërkatni sipër me pak vaj apo me pak nga përzierja e kosit që përgatitët më parë, nëse ju ka tepruar ndopak.

    Tundeni pak me duar tavën dhe lëreni në temperaturë ambienti për rreth 20 minuta.

    Ndërkohë ndizni furrën në temperaturën 200 gr Celsius.

    Pasi koha të ketë kaluar, futeni byrekun në furrë dhe lëreni të piqet për 30-35 minuta ose derisa të shikoni që ka marrë pamje të artë.

    Nxirreni nga furra kur të jetë gati, lëreni të ftohet pak dhe më pas mund t’a konsumoni shoqëruar me kos.

  • Kek i mbushur me luleshtrydhe – Shije e mrekullueshme!

    Kek i mbushur me luleshtrydhe – Shije e mrekullueshme!

    Çdo ëmbëlsirë me bazë frutat është gjithnjë zgjedhja më e mirë përsa i përket shëndetit.

    Me ardhjen e pranverës krijohen mundësitë e shijimit të këtyre recetave të mrekullueshme.

    Sezoni i luleshtrydheve sapo erdhi dhe shijimi i tyre në çdo formë është  fantastik.

    Sot ju sugjerojmë një recetë shumë të thjeshtë dhe të ëmbël siç është keku me luleshtrydhe.

    Ky është një kek i veçantë i cili mund të piqet në një tepsi të vogël ose në tigan.

    Përbërësit

    • 750 gr luleshtrydhe
    • 150 gr miell
    • 133 gr gjalpë pa kripë
    • 3-4 lugë qumësht ose ujë
    • 3 lugë gjelle niseshte
    • 2 lugë çaji sheqer
    • 1 vezë
    • kripë
    • sheqer pluhur dhe vanilje sipas dëshirës

    Përgatitja

    Ju këshillojmë si fillim të përzieni miellin, sheqerin dhe pak kripë në një enë të madhe.

    Më pas shtoni gjalpin dhe bashkojeni me miellin me anë të një piruni apo mikseri, derisa gjalpi të jetë kthyer në kokrriza të vogla.

    Në këtë moment shtoni 2 lugë gjelle qumësht të ftohtë ose ujë tek mielli dhe filloni ta punoni në fillim me ndihmën e një piruni pastaj me duar.

    Bëjeni këtë derisa i gjithë brumi të mblidhet dhe të formojë në top të vogël.

    Nëse ndodh që brumi të jetë shumë i thatë mund të shtoni edhe një lugë tjetër uji ose qumueshti.

    Shtypeni brumin me dorë duke i dhënë formën e një disku dhe vëreni në frigorifer për 1 orë.

    Pasi t’a nxirrni nga frigoriferi lerëni të pushojë disa minuta, derisa të arrijë temperaturën e dhomës.

    Ndërkohë ndizni furrën në temperaturë 200 gradë.

    Kur kjo të ketë ndodhur, me anë të një petësi filloni të hapni brumin në formë rrethore jo më shumë se 30 cm.

    Më pas petën e krijuar vendoseni tek tava apo tigani që do ta piqni që duhet të jetë rreth  40 cm.

    Siç shpjeguam edhe më lart sigurohuni që të zgjidhni një tavë rrethore dhe të thellë ose një tigan të thellë për pjekjen e kekut.

    Filloni të prisni në kubikë të vegjël luleshtrydhet të cilat duhet t’i hidhni në një enë bashkë me sheqerin, niseshtenë dhe vaniljen nëse dëshironi.

    Trazojini për disa sekonda dhe hidhini me kujdes në qendër të petës që keni vënë në tavë.

    Sigurohuni që anët e petës së brumit të mbështjellin luleshtydhet pa i mbuluar tërësisht ato.

    Më pas rrihni vezën duke i hedhur 2-3 lugë ujë ose qumësht dhe spërkateni mbi kek.

    Nëse dëshironi mund t’i hidhni edhe pak sheqer sipër para se ta piqni për ta bërë kekun më krokant.

    Pjekja

    Futeni në furrë dhe lëreni të piqet për rreth një orë duke e kontrolluar herë pas here.

    Keku është gati kur peta të ketë marrë ngjyrë të artë dhe kur mbushja të ketë filluar të nxjerrë bulëza.

    Lëreni të ftohet për 30 minta para se ta shërbeni e më pas keku juaj është gati.

    Mund të zgjidhni ta shërbeni duke i hedhur sheqer pluhur sipër apo pak akullore.

  • Mënyra e duhur e skuqjes së specave! Këto sekrete duhet ti dini patjetër!

    Mënyra e duhur e skuqjes së specave! Këto sekrete duhet ti dini patjetër!

    Aroma e tyre e tyre mbush gjithë shtëpinë me dëshirën për t’i konsumuar menjëherë.

    Specat e skuqura janë ndër gatimet më të shpejta të mrekullueshme të stinës së pranverës dhe verës.

    Fantastike për të shoqëruar supa e gjellra të ndryshme, mish të pjekur por edhe byrekë e të tjera gatime.

    Por specat e skuqura, aq të preferuara nga të gjithë të kënaqin nepsin dhe oreksin edhe kur shoqërohet me pak bukë shtëpie të ngrohtë, djathë e domate apo kos e dhallë të freskët.

    Megjithatë shpesh herë amvisat nuk “i godasin” siç duhen specat gjatë skuqjes, kjo pasi ndonjëherë ato skuqen shumë nga jashtë e mbeten të ngurta nga brenda.

    Ju sjellim më poshtë disa sekrete të vogla se si të skuqni specat në mënyrë perfekte me shijen më të mirë.

    Skuqja e Duhur e Specave

    Së pari, zgjidhni speca jeshile të vogla pasi gjatë skuqjes ato bëhen më të shijshme.

    Në rastin kur specat janë të mëdha, një mënyrë është ajo e prerjes së tyre në shirita e më pas skuqjes së tyre në një tigan me vaj.

    Duket të keni parasysh që tiganin me vaj nuk duhet ta nxehni shumë pasi kjo ndikon tek skuqja e specave nga jashtë dhe mbetja e tyre e ngurtë brenda.

    Ju këshillojmë që kur të vendosni shiritat e specave për t’i skuqur kriposini sipas dëshirës dhe hidhuni 1 apo 2 lugë gjelle ujë në varësi të sasisë së specave që do skuqni.

    Uji do ndihmojë që specat të skuqen plotësisht dhe të bëhen edhe më të shijshme.

    Në rastin kur specat i keni të plota çpojini ato me pirun në dy tre vende në mënyrë që të mos krijojnë kërcitje gjatë skuqjes.

    Në të gjitha rastet mos harroni që një element i rëndësishëm në të gjitha rastet është vendosja e një kapaku gjatë kohës që ato skuqen.

    Kujdesuni që herë pas here specat t’i ktheni nga të dyja anët që në mënyrë që të skuqen plotësisht.

    Largimi i Lëkurës

    Pasi janë skuqur nëse nuk e dëshironi lëkurën e tyre mund ta hiqni duke i mbështjellë në një letër ku mbahet buka ose letër kuzhine, lërini pak të mbështjella e më pas lëkura e tyre do të hiqet lehtësisht.

    Zakonisht ky proces bëhet kur specat që skuqen janë të mëdha. Pas kësaj, ato janë gati për t’i shijuar me gatimet më të preferuara.

  • Tambëloriz – Receta e ëmbël veriore me shije unike!

    Tambëloriz – Receta e ëmbël veriore me shije unike!

    Mund ta njihni me emrin sultjash e ta keni përgatitur e shijuar shumë herë.

    Ama sot ju tregojmë si e përgatisin këtë recetë tradicionale amviset më veriore të vendit tonë.

    Kjo ëmbëlsirë në qytetet veriore quhet tambëloriz, dhe konsiderohet një ëmbëlsirë verore.

    Tambëlorizi zakonisht në këto zona përgatitet për festa të ndryshme familjare.

    Përbërësit

    • 2 litra qumësht
    • 3 filxhanë kafe oriz
    • 1 gotë sheqer

    Përgatitja

    Si fillim ju sugjerojmë të shpëlani me ujë të bollshëm orizin.

    Ky hap është i rëndësishëm në mënyrë që të largoni niseshtenë e tepërt që përmban ky produkt.

    Përsëriteni tre herë si veprim për të patur një rezultat sa më të mirë.

    Për t’ju ndihmuar mund të përdorni sitën e miellit kështu mund ta pastroni pa u munduar.

    Ndërkohë në një tenxhere keni kaluar qumështin dhe e keni vendosur për ta zier.

    Për këtë recetë mund të përdorni llojin e qumështit tuaj të preferuar.

    Qumështi duhet të ziejë ngadalë në mënyrë që të avullojë sa më mirë dhe të mbetet kremoz.

    Kur të shihni bulëza të formohen në sipërfaqen e tenxheres është koha për të shtuar orizin.

    Në fillim ju këshillojmë që ta përzieni mirë në mënyrë që kokrrat e orizit të mos bien në fund të tenxheres.

    Diçka e tillë shmang ngjitjen e orizit dhe hidhërimin e ëmbëlsirës.

    Temperatura e zjarrit duhet të jetë e ulët dhe qumështi me orizin duhet të ziejë për gati 1 orë.

    Përzierja duhet të vazhdojë gjatë gjithë kohës derisa të shihni që qumështi ka filluar të mpikset e të trashet.

    Kur keni arritur në këtë pikë, shtoni sheqerin dhe lëreni në zjarr edhe për 10-15 minuta të tjera.

    Pasi ta largoni nga zjarri ndajeni në tasa të vegjël dhe lërini të ftohen plotësisht.

    Kur të jenë ftohur futini në frigorifer në mënyrë që të mpikset sa më mirë.

    Para se t’i shërbeni spërkatini sipër me reçel sipas dëshirës për një shije më unike

    LEXO EDHE: Mëngjes i ëmbël – Syltjash me tërshërë dhe turmerik

  • Të shpejta dhe plot butësi – Këto petulla do ju shuajnë nepsin!

    Të shpejta dhe plot butësi – Këto petulla do ju shuajnë nepsin!

    Ekspertët thonë se njeriu ka nevojë për sheqer që të rrisë ndjesinë e kënaqësisë dhe të serotoninës në gjak, e cila na bën të ndihemi më të qetë, më të kënaqur e ndoshta… më gazmorë.

    Nëse është kështu, më poshtë ju prezantojmë një recetë që të shuani nepsin për të ëmbla por edhe të bashkoheni me familjen në artin e gatimit.

    Përbërësit:

    • 4 lugë gjelle gjalpë pa kripë
    • 3 filxhanë çaji miell për ëmbëlsira ose pak më shumë
    • 2 lugë e gjysmë çaji pluhur pjekës
    • Një majë luge çaji sodë buke
    • 1 lugë e gjysmë çaji kripë të trashë
    • Një lugë çaji arrëmyshk pluhur
    • Gjysmë filxhani çaji sheqer kaf
    • Gjysmë filxhani çaji sheqer të bardhë
    • Vaj për skuqje
    • 1 vezë të madhe dhe 3 të verdha vezësh të tjera.
    • Treçerek filxhan çaji me krem qumështi

    Për Kremin e Vaniljes

    • 2 filxhanë çaji sheqer pluhur
    • 1 lugë gjelle vanilje pluhur
    • Çerek filxhan çaji ujë të nxehtë.

    Përgatitja:

    Shkrijeni gjalpin në mikrovalë dhe lëreni mënjanë të ftohet.

    Në një enë tjetër hidhni 3 filxhanë e gjysmë miell, pluhurin pjekës, sodën e bukës, kripën dhe arrëmyshkun.

    Rrihini fort që të përzihen mirë me njëra tjetrën.

    Në enën përkatëse të mikserit elektrik hidhni gjalpin, sheqerin kaf, sheqerin e bardhë dhe vaniljen pluhur.

    Përpunojini për rreth 2 minuta deri sa të merrni një masë kremoze.

    Më pas uleni shpejtësinë e përpunimit dhe shtoni vezën e plotë dhe tre të verdhat.

    Shtoni kremin e qumështit dhe lërini të përzihen deri sa të shkrihen me njëra tjetrën.

    Më pas në misker, duhet të hidhni të gjithë përbërësit e tjerë të thatë dhe punojeni brumin me dorë deri sa të jetë gati.

    Futeni në frigorifer për të paktën një orë ose gjatë gjithë natës.

    Qëndrimi në frigorifer e bën brumin më të lehtë në përpunim dhe më të mbledhur.

    Transferojeni brumin në banakun e larë dhe të pluhurosur me miell shtesë dhe punojeni sërish me duar.

    Ndajeni brumin në copa të vogla për petulla duke krijuar një hapësirë të vogël në sipërfaqe për mbushjen me kremin dhe vaniljen.

    Pasi të jetë ngrohur vaji, skuqini petullat për një minutë në secilën anë.

    Më pas, në një enë tjetër shtoni vaniljen, ujin e nxehtë dhe sheqerin pluhur dhe përziejini fort.

    Secilën prej petullave duhet ta ngjyeni në masën e ëmbël me vanilje dhe ta ktheni sërish në pjatancë.

  • Supë me hithra për një darkë të shijshme dhe të lehtë!

    Supë me hithra për një darkë të shijshme dhe të lehtë!

    Tingëllon e çuditshme, por supa me hithra është një oaz vlerash të shëndetshme.

    Përdorimet e hithrës në kuzhinë dhe në mjekësinë popullore janë të shumëfishta dhe jashtëzakonisht të dobishme për shëndetin. Një prej tyre është padyshim supa me hithra.

    E lehtë në shije por e fortë në përfitimet e dobishme që ajo i ofron organizmit, supa me hithra është një oaz vlerash të shëndetshme.

    Hithra është protagonistja kryesore e kësaj supe të sugjeruar nga ne, e cila këshillohet për të kuruar një sërë problemesh shëndetsore duke nisur që nga ato të thjeshtat në këtë stinë virozash.

    Supa me hithra është e pasur me antioksidantë, vitamin C, vitamin E, beta-karoten, selenium dhe flavonoidë.

    Ajo përmban gjithashtu shumë hekur, kalcium, kalium, fosfor, klorofil, vitaminë C dhe D.

    Kjo larmi ushqyesish e bën hithrën një supër ushqim, të këshillueshme kundër disa sëmundjeve, veçanërisht anemisë dhe sëmundjeve respiratore.

    Nëse dëshironi të merrni të gjitha përfitimet e këtij super ushqimi, atëherë gatuani një supë me gjethet e njoma të hithrës.

    Antioksidantët që gjenden te hithra kanë aftësinë të mbrojnë qelizat nga dëmet e shkaktuara prej oksidimit dhe rrjedhimisht të gjithë sistemin imunitar.

    Kosi nga ana tjetër, i cili përdoret për të plotësuar këtë pjatë të mrekullueshme me ngjyrë të gjelbër, është i dobishëm sepse përmban probiotikë të cilët shkurtojnë kohëzgjatjen dhe intensitetin e simptomave të të ftohtit.

    Si T’a Përgatisim Krejt Lehtë në Shtëpi

    Përbërësit

    • 1 filxhan me hithra të njoma
    • Gjysëm filxhani me spinaq të freskët
    • 2 lugë gjelle me vaj ulliri
    • 2 qepë të grira hollë
    • 2 gota me ujë
    • 2 gota me qumështë të skremuar organik
    • 3 lugë gjelle me miell
    • Pak piper të bardhë
    • Kripë sipas dëshirës
    • Kos

    Përgatitja 

    Lajini hithrat dhe spinaqin me ujë të bollshëm. Kullojini dhe prijini trashë.

    Hidhni vaj ulliri në një tenxhere dhe kavërdisni qepën deri sa copat e saj të marrin një ngjyrë kafe të artë.

    Shtoni ujin, hithrat dhe spinaqin dhe lërini të ziejnë deri sa të zbuten. Më pas transferojini përbërësit në një mikser deri sa të përfitoni një masë kremoze.

    Rriheni qumështin e ftohtë së bashku me miellin. Shtojeni në tenxhere dhe vazhdojeni ta përzijeni pa ndaluar duke garantuar një shpërndarje të njëtrajtshme.

    Lëreni supën të ziejë edhe për disa minuta deri sa lëngu të jetë trashur.

    Shtoni kripën dhe piperin e bardhë. Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe servireni supën në pjatat përkatëse. Hidhni pak kos dhe shijojeni.

    Shënim: Hithrat janë të pasura me nitrat dhe nuk duhen konsumuar nga fëmijët, njerëzit që kanë probleme me stomakun ose njerëz që duhen të ushqehen me produkte me nivel të ulët nitrati.

  • Musaka me patate – E veçantë me shije të mrekullueshme!

    Musaka me patate – E veçantë me shije të mrekullueshme!

    Një gatim special, i veçantë me shije të mrekullueshme dhe ideal për një vakt dreke por edhe darke.

    Musakaja është përgatitur jetë e mot nga nënat e gjyshet shqiptare, traditë sidomos në zonat e jugut të vendit.

    Shije plotë dhe e kombinuar në mënyrë perfekte me më të mirat e kuzhinës. Patatet e përgatitura me kimën e mrekullueshme të amvisave shqiptare janë padyshim ndër gatimet më të shijshme.

    Një mënyrë fantastike për të kënaqur gjithë familjen apo për ta gatuar edhe në raste të veçanta kur shtëpinë e vizitojnë miq e mysafirë.

    Musakaja me patate shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, turshi të ndryshme, salcë kosi apo edhe bukë të thekur.

    Ju sugjerojmë më poshtë përgatitjen e musakasë me patate në shtëpi.

    Përgatitja e Musakasë Në Shtëpi  

    Përbërësit

    (Për një tepsi mesatare)

    • 8-10 kokrra patate mesatare (1.5 kg)
    • 1 filxhan çaji vaj ulliri
    • 2 kokrra qepë mesatare
    • 1 filxhan çaji mish i grirë
    • 2 kokrra domate mesatare ose 1 lugë gjelle salcë
    • Kripë
    • Piper
    • Majdanoz

    Për salcën beshamel duhen

    • 3 lugë gjelle miell
    • 2 lugë gjelle gjalpë të freskët
    • 2-3 gota qumësht
    • 2 kokrra vezë
    • 1 lugë gjelle gjalpë për spërkatje
    • 3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
    • Kripë

    Përgatitja

    Për gatimin e musakasë zgjidhen patate të mëdha. Patatet e pastruara priten në feta dhe vendosen në një tavë.

    Pasi spërkaten me vaj, tava futet në furrë. Patatet lihen të piqen, sa të skuqen lehtë.

    Përgatitet kima: Kaurdisen qepët me mish të grirë. Hidhet salcë, kripë, piper dhe dafinë.

    Në një tepsi të lyer me vaj ulliri dhe galetë (bukë hekur të grirë hollë në rende), vendoset një shtresë patatesh. Fundi i tepsisë mbulohet mirë, që të mos dalë kima. I vendosim patatet mbi njëra – tjetrën.

    Më pas, vendosim një shtresë kimë, përsipër patate e përsëri një shtresë kimë.

    Sipër duhet të vendoset shtresa e patateve.

    Hidhet salcë beshamel, e cila sheshohet me ndihmën e një luge të lagur me qumësht ose gjalpë. Shtohet djathë kaçkavall i grirë dhe pak gjalpë.

    E fusim tavën në furrë dhe e lëmë të piqet.

  • Kek me mollë dhe portokalle – Shije dhe aromë e mrekullueshme!

    Kek me mollë dhe portokalle – Shije dhe aromë e mrekullueshme!

    Keku me mollë është sigurisht shumë i njohur dhe i dashur për të gjithë.

    Ka një shije të thjeshtë e të lehtë që hyn shumë shpejt tek më të preferuarat e tryezës.

    Megjithëse variantet e kekut janë të shumëllojshme, të atij me mollë gjejmë vetëm tradicionalin.

    Prandaj në këtë recetë ju tregojmë mënyrën e veçantë të përgatitjes së tij edhe me shije portokalli.

    Që nga emri ky kek i veçantë transmeton aromën e mrekullueshme të portokallit dhe shijen e butë të mollëve të pjekura.

    Ndiqni recetën e shpjeguar hap pas hapi si më poshtë për të mos e humbur këtë ëmbëlsirë.

    Përbërësit

    • 4 mollë mesatare
    • 1 portokall
    • 380 gr miell
    • 200 gr sheqer
    • 100 gr gjalp pa kripë
    • 90 gr kos
    • 4 vezë mesatare
    • 16 gr fryrës për ëmbëlsira
    • sheqer pluhur sipas dëshirës

    Përgatitja

    Për nisjen e kësaj recete AgoWeb.org ju këshillon të filloni me shkrirjen e gjalpit në zjarr të lehtë e më pas lëreni mënjanë.

    Ndërkohë lani dhe pastroni mirë mollët duke i ndarë përgjysmë në mënyrë që t’i hiqni farat e pjesës së mesit.

    Pritini ato në katërsh e më pas filloni t’i prisni në copa të holla të vogla bashkë me lëkurën.

    Bëjeni këtë me tre prej mollëve dhe mollën e katërt lëreni për dekor në fund.

    Vendosini copëzat e mollëve në një enë të thellë duke i përzier me lëngun e portokallit të shtydhur.

    Duke i përzier, girni me një rende edhe pak nga lëkura e portokallit dhe lërini të pushojnë.

    Në një enë tjetër shtoni vezët dhe përziejini me anë të një rrahësi elektrik.

    Pak nga pak shtoni edhe sheqerin duke e përzier derisa të shkrijë i gjithi.

    Hidhni gjalpin e shkrirë dhe të ftohur bashkë me sasinë e kosit duke vazhduar me përzierjen.

    Kur të përfitoni një masë kompakte dhe të trashë bëni gati të hidhni miellin.

    Me anë të një site të vogël kuzhine shtoni miellin pak nga pak, bashkë me fryrësin për ëmbëlsira.

    Përziejeni miellin me kujdes derisa brumi të trashet plotësisht dhe më pas shtoni copat e mollëve me portokall që përgatitët më parë.

    Për Pjekjen

    Zgjidhni një tavë për pjekje ëmbëlsirash rreth 20 cm dhe lyjeni me pak gjalp ose shtrojeni me letër pjekje.

    Hidhni me kujdes brumin bashkë me copat e mollëve, duke e hapur nëpër të gjithë sipërfaqen me anë të një luge.

    Në këtë pikë merrni mollën që latë mënjanjë më parë dhe prijeni në feta të holla dhe të barabarta përsëgjati.

    Shtrojini këto feta sipër brumit të kekut tuaj njëra pas tjetrës në mënyrë që të formojnë një fizarmonikë.

    Shpërkateni sipër me pak sheqer sipas dëshirës dhe është gati për t’a futur në furrë.

    Piqeni në temperaturë 180 gradë për 50-60 minuta, pra rreth 1 orë duke e kontrolluar gjithnjë nëse keku është pjekur brenda.

    Nxirreni nga furra kur të ketë marrë pamje të artë dhe lëreni të ftohet pak.

    Më pas mund t’a prisni dhe t’a shërbeni sipas dëshirës duke e servirur dhe me pak sheqer pluhur sipër.

  • Kek tiramisu pa pjekje – Receta me shije të lehtë!

    Kek tiramisu pa pjekje – Receta me shije të lehtë!

    Tiramisuja është nga ato ëmbëlsira e cila shijohet në çdo kohë të vitit.

    Është e lehtë e freskët për verën dhe plot shije e aromë për ta shijuar gjatë dimrit.

    Nëse e keni provuar të paktën një herë këtë ëmbëlsirë të mrekullueshme me siguri preferoni ta shijoni sa herë që ju jepet mundësia.

    Për t’jua lehtësuar të gjithë procesin e përgatitjes ju këshillojmë që të provoni të përgatisni kekun tiramisu.

    Ndiqni më poshtë mënyrën e së të përgatitjes së tij fare lehtë.

    Përbërësit

    • 500 ml qumësht i ftohtë
    • 400 gr krem pastiçerie
    • 360 ml krem qumështi
    • 230 gr maskaropne (e gjeni ne markete)
    • 125 gr sheqer
    • 60 biskota (savoiardi)
    • 3 filxhanë kafe (ekspres)
    • kakao per spërkatjen
    • copa çokollate

    Përgatitja

    Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete lyeni me pak gjalpë ose vaj një tavë të thellë pjekje rrethore me madhësi 20 cm.

    Ndërkohë në një enë të thellë me anë të një mikseri, përzieni qumështin bashkë me kremin e pastiçerisë.

    Përziejini mirë derisa të formohet një masë e hollë kremoze.

    Në një tjetër enë serish përzieni, kremin e qumështit derisa të trashet plotësisht e më pas shtoni kremin e pasticërisë që përgatitët në enën tjetër.

    Vazhdoni me përzierjen derisa të formohet një masë kompakte, e në fund duke përzier shtoni maskarponen, bashkë me sheqerin.

    Përgatisni kafen dhe filloni të lagni me të një nga një biskotat, duke i zhytur për disa sekonda.

    Pritini pak fundet e rrumbullakta të biskotave në mënyrë që të qëndrojnë drejtë në tavë.

    Sipas thellësisë së tavës, biskotat mund t’i ndani edhe në gjysmë.

    Vendosini ato njëra pas tjetrës të mbështetura përsëgjati me fundin e prerë tek baza e tavës.

    Biskotat duhet të jenë të rreshtuara në këmbë njëra pas tjetrës me mesin e tavës bosh.

    Në fund mubushni edhe mesin e tavës me biskota të prera, derisa të mbulohet i gjithi dhe shtoni gjysmën e kremit që përgatitët.

    Shtroni sërish biskotat e në fund pjesën tjetër të kremit për të përfunduar ëmbëlsirën tuaj.

    Futeni në frigorifer në temperaturë normale për të paktën 5-6 orë ose derisa të shikoni që keku juaj është mpiksur.

    Pasi ta nxirrni, spërkateni me kakao dhe me copëza çokollate të grirë sipër dhe shërbejeni në feta të vogla keku.