Besa ka konfirmuar vazhdimësinë me dy prej futbollistëve më të rëndësishëm të repartit mbrojtës. Klubi kavajas ka rinovuar kontratat me qendërmbrojtësit Nurudeen Abdulai dhe Bianor Neto, të cilët do të jenë pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm.
Dy mbrojtësit ishin ndër figurat kyçe të verdhezinjve gjatë edicionit të kaluar, duke krijuar një partneritet të qëndrueshëm në qendër të mbrojtjes. Abdulai dhe Neto zbritën së bashku në fushë në 28 takime, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin e prapavijës së Besës.
Përveç detyrave difensive, të dy u dalluan edhe në zonën kundërshtare, ku shfrytëzuan mjaft mirë lojën në ajër. Abdulai e mbylli sezonin me 2 gola të shënuar, ndërsa Neto realizoi 3 herë, duke treguar vlerën e tyre në të dyja anët e fushës.
Me këtë lëvizje, Besa ruan një nga pikat më të forta të skuadrës dhe siguron vazhdimësi në repartin defensiv për objektivat e sezonit të ri.
1 comment
Comments are closed
Add Comment