Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat nga selia blu akuzoi kryeministrin Rama se po vepron si agjent i Kremlinit me projektin “Ballkani i Hapur”.
“Sot ka një konfrontim mes NATO-s, BE-së dhe Rusisë së Putinit apo Putinit dhe aletatëve të tij.
Sot shërbimet serbo-ruse janë në sintoni të plotë në bashkëpunim të ngushtë. Për ata që e vënë në dyshim po ju kujtoj deklaratën e Vuçiçit që gjatë vizitës në Uashington tha se shërbimet më kishin njohur, shërbimet ruse, me tekstin e marrëveshjes që do të na servirej.
Kjo nuk është risi. Putini i madh dhe i vogël, Rusia e madhe dhe e vogël, janë një realitet i pazgjidhshëm. Jam këtu sepse ka një projekt tjetër madhor për Ballkanin, projekt serbo-rus dhe ky është ‘Ballkani i Hapur’. Shqiptarët e dinë se ky projekt u mbështet para dy muajsh haptas nga Ministri i Jashtëm rus Lavrov. Ky projekt mbështetet po kaq verbërisht nga vasali i Vuçiçit në tiranë, Rama.
Më thoni, a nuk është ky një akt madhor i kërcënimit të sigurisë kombëtare?
Ata që kërkojnë agjenturë në bunkerë e tunele, problemi kryesor për Shqipërinë është në krye të qeverisë së vendit. Rama po vepron si agjent influent i Kremlinit në Tiranë me projektin ‘Ballkani i Hapur’”, u shpreh Berisha.